Bilanci i OSHEE për 9-mujorin – Rriten arkëtimet dhe ulen humbjet e energjisë në rrjetin e shpërndarjes

Pavarësisht faturës së lartë të shpenzuar për blerje energjie për shkak të thatësirës, treguesit e humbjeve në rrjet dhe arkëtimeve për 9-mujorin e këtij viti rezultojnë pozitivë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas OSHEE-së, niveli i humbjeve të energjisë ne rrjetin e shpërndarjes për 9-mujorin e këtij viti ka arritur në 22.51%, duke u përmirësuar me 1.38% në raport me të njëjtën  periudhë e një viti më parë, ku ky nivel regjistrohej në 23.89%.

Ndërkohë që, arkëtimet kanë pësuar rritje përgjatë periudhës janar-shtator, duke arritur në vlerën e 51.69 mld lekëve apo 3 mld lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kjo rritje mund t’i atribuohet pagesave të kryera nga konsumatorët familjarë, duke qenë se institucionet buxhetore dhe ato jo buxhetore kanë rritur borxhet ndaj këtij dikasteri.

Sipas të dhënave për 8-mujorin e  këtij viti borxhi i ujësjellësve dhe klubeve sportive arriti në 10.409 mld lekë, ndërkohë që ai paraqet një tendencë në rritje që prej majit të vitit 2015.

Po kështu, edhe borxhet e institucioneve buxhetore, ndonëse shënohen më të ulëta në raport me ujësjellësit dhe klubet sportive, kanë një tendencë në rritje, ndërsa në muajin gusht arritën në 3. 464 mld lekë.

Ndërkaq, të dhënat e OSHEE-së tregojnë një rënie të numrit të ankesave, ku për këtë 9-mujor ku janë regjistruar 28.946 apo 8.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

SHKARKO APP