Bilanci i tragjedisë ajrore në Muan të Koresë së Jugut, dy të mbijetuar dhe 177 të vdekur

Një ekskavator përdoret për të hequr karriget e djegura nga rrënojat. Kim Hong-Ji/Reuters

Dy të mbijetuarit e konfirmuar të rrëzimit të avionit të Jeju Air në Korenë e Jugut u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit, e vetmja pjesë e mjetit fluturues që ruajti një pjesë të formës së tij pas goditjes, tha shefi i zjarrfikësve të Muan, Lee Jung-hyun, konfirmon BBC.

Të mbijetuarit e përplasjes, një mashkull dhe një femër, anëtarë të ekuipazhit, po trajtohen në spital.

Një nga dy pasagjerët e shpëtuar nga avioni është transportuar në një spital në Mokpo, Koreja e Jugut. Agjencia e Lajmeve Yonhap/Reuters

“Vetëm pjesa e bishtit ruajti pak formën, dhe pjesa tjetër e aeroplanit është pothuajse e pamundur të njihet,” tha shefi i zjarrfikësve.

Video dhe pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë mbetjet e avionit, me pjesën më të madhe të tij që u shkrumbua nga zjarri.

Avioni i linjës Jeju Air u përplas vetëm disa orë më parë me një barrierë të aeroportit pasi nuk ishte në gjendje të aktivizonte rrotat gjatë uljes.

Deri më tani bilanci i konfirmuar i viktimave është 177, ndërsa kërkimet vijojnë ende për dy personat e tjerë nga ekipet e shpëtimit.

Më shumë se 1,570 personel nga ushtria, policia dhe qeveria janë vendosur në Muan në provincën Jeolla të Koresë së Jugut për të ofruar mbështetje për përpjekjet e rimëkëmbjes, tha një zyrtar nga ministria e transportit të vendit, njofton CNN.

Zyrtari shtoi se ministria do të intervistojë stafin e kullës së kontrollit për të mbledhur informacion shtesë, duke përfshirë nëse kishte probleme me dukshmërinë.

Sipas CNN, punonjësit e shpëtimit po marrin gjithçka në mbikqyrje nëpër rrënojat e fluturimit 7C 2216 të Jeju Air, i cili u rrëzua në aeroportin ndërkombëtar Muan të Koresë së Jugut.

Një i afërm i një prej pasagjerëve të avionit fshin fytyrën e tij në Aeroportin Ndërkombëtar Muan, ndërsa njerëzit prisnin lajmet për të dashurit e tyre. Kim Hong-Ji/Reuters

BBC njofton se Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit (Molit) thotë se ata tani kanë nxjerrë nga rrënojat e fluturimit dhe regjistruesit e zërit, të cilët do të ndihmojnë hetimin për shkakun e rrëzimit.

Të dhënat e komunikimit midis kabinës dhe kullës së kontrollit gjithashtu do të rishikohen, shtoi zyrtari.
Avioni shkoi në Korenë e Jugut nga Bangkoku i Tajlandës me 181 persona në bord dhe tentoi të ulej pak pas orës 09:00, sipas kohës lokale, në aeroportin në jug të Seulit, tha Ministria jugkoreane e Transportit.

Sipas autoriteteve, nga zjarri që kaploi avionin vdiqën 84 gra dhe 82 burra, ndërkaq 11 të tjerëve nuk ka mundur t’iu identifikohet ende gjinia.

Autoritetet thanë se dy nga pasagjerët e këtij avioni ishin shtetas të Tajlandës, ndërkaq pjesa tjetër besohet se ishin nga Koreja e Jugut.

Ushtarët e Koresë së Jugut punojnë pranë vendit të rrëzimit. Jung Yeon-je/AFP/Getty Images

Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani ajrore jugkoreane në tri dekadat e fundit.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale mund të shihet avioni i llojit Boeing 737-800 duke rrëshqitur në pistë dhe nuk duket se ka pajisje për ulje, para se të përplaset në një mur dhe të shpërthejë në flakë.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua, u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit, tha zëdhënësi i zjarrfikësve në Korenë e Veriut, Lee Jung-hyun, duke shtuar se është arritur që të shuhet zjarri.

Autoritetet tani kanë nisur të kërkojnë në zonat përreth për trupa të mundshëm të pasagjerëve.

Dy anëtarët e ekuipazhit po trajtohen në spitale dhe autoritetet thanë se ata janë jashtë rrezikut për jetë.

Disa orë pas rrëzimit, familjarët e pasagjerëve u mblodhën në aeroport, teksa atyre u janë dhënë letra që të shkruajnë detaje për familjarët e tyre.

Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani jugkoreane që nga viti 1997, kur një avion i Korean Air u rrëzua në Guam, duke lënë të vrarë më shumë se 200 persona.

Hetuesit po shikojnë nëse faktorët e rrëzimit të avionit mund të jenë goditjet nga zogjtë apo kushtet atmosferike, tha Lee. Agjencia e lajmeve Yonhap citoi autoritetet e aeroportit të kenë thënë se goditjet nga zogjtë mund të kenë shkaktuar mosfunksionimin e pajisjeve për uljen e avionit.

Kulla e Kontrollit kishte lëshuar një paralajmërim për goditje nga zogjtë pak pasi pilotët shpallën emergjencë brenda fluturakes, tha një zyrtar i Ministrisë së Transportit, duke mos specifikuar nëse avioni ishte goitur nga zogjtë.

Pothuajse një minutë pasi pilotët njoftuan për situatën, ata nisën përpjekjen e tyre të dështuar për t’u ulur, tha zyrtari.

Agjencia News1 raportoi se një pasagjer i kishte dërguar mesazh një familjari të tij, duke thënë se një zog kishte goditur krahun e avionit.

Avioni Boeing 737-800, që operohej nga Jeju Air, ishte prodhuar më 2009. Shefi ekzekutiv i Jeju Air kërkoi falje për aksidentin dhe gjatë një adresimi televiziv ai u përkul për të shprehur keqardhje. Ai tha se ende nuk dihet shkaku i rrëzimit, duke shtuar se fluturakja nuk kishte pasur asnjë aksident të mëparshëm dhe nuk kishte tregues se kishte ndonjë problem në avion dhe tha se do të bashkëpunojë me autoritetet për hetimet.

Kur avioni u largua nga aeroporti i Bangkokut, Suvarnabhumi, nuk ishte raportuar për kushte anormale, tha presidenti i aeroporteve të Tajlandës, Kerati Kijmanawat.

E themeluar më 2005, kompania Jeju Air është një kompani ajrore me kosto të ulët që operon në rrugët ndërkombëtare për në Japoni, Tajlandë dhe Filipine, si dhe kryen fluturime të shumta brenda Koresë së Jugut.

SHKARKO APP