BIRN: Gazetarët e shkarkuar nga RTSH thirren në polici

Organizatat e medias dhe eksponentë të opozitës ngritën të enjten shqetësimin se policia e shtetit po përdoret në mënyrë abuzive për të ‘frikësuar” gazetarët e shkarkuar nga puna nga drejtori i ri i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza.

Nga Blerina Gjoka-

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi duke e cilësuar situatën alarmante pas marrjes së denoncimeve se të paktën 5 ish-punonjës të televizionit publik ishin thirrur në Drejtorinë Vendore të Policisë.

“Ish-punonjësit kanë denoncuar se në dy ditët e fundit janë thirrur në Policinë e Tiranës, ku janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar telefonat celularë për shkak të një kallëzimi të bërë nga Peza për ‘prishje imazhi’”, shkruan në një deklaratë publike kjo organizatë, duke i cilësuar “abuzive” praktikat e ndjekura nga policia.

Një prej ish-punonjësve të RTSH që ishte thirrur në polici i tha BIRN-it se ishte pyetur nga zyra e krimit kibernetik në lidhje me shkrime anonime që bëhen në portalet online ndaj Pezës.

Punonjësi, i cili kërkoi të fliste në kushtet e anonimatit, tha se oficerët e policisë i kishin kontrolluar edhe telefonin, ndërsa nuk i kishin bërë të qartë nëse ndaj tij kishte ndonjë padi nga Peza.

“Unë jam shkarkuar nga puna pas 19 vitesh që punoja në RTSH dhe jam në një proces gjyqësor me televizionin për shkarkim të padrejtë”,- tha ai, duke iu referuar thirrjes në polici si një tentativë për t’i frikësuar që mos të flasin publikisht.

“Pyetja e punonjësve dhe kontrolli i aparateve celularë është një akt i rëndë që synon frikësimin, intimidimin dhe heshtjen e tyre nën sfondin kur këta të fundit, kanë folur hapur për shkarkimet masive dhe të padrejta të Alfred Pezës”, tha AGSH-ja.

Alfred Peza, një ish-zyrtar dhe ish-deputet i Partisë Socialiste në pushtet, u zgjodh drejtor i ri i RTSH në qershor 2023, duke shkaktuar shqetësim për pavarësinë e tij politike.

Deklarata u shpërnda të enjten dhe nga deputetja Ina Zhupa, kryetare e komisionit parlamentar për mediat dhe edukimin.

Peza pranoi gjatë një raportimi në Kuvend se numri i personave të larguar nga ky institucion që pas ardhjes së tij në drejtim ishte 166, por argumentoi se shumica kishin ikur me dorëheqje dhe pjesa tjetër me procedurë të rregullt.

Vala e shkarkimeve në RTSH shqetësoi sindikatat e medias në Shqipëri dhe në Evropë të cilët kërkuan të ndalohej kjo praktikë “presioni dhe ndëshkimesh” ndaj gazetarëve.

I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, drejtori i RTSH nuk i komentoi akuzat deri në publikimin e këtij shkrimi. As Policia e Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

SHKARKO APP