BIRN: Si Arben Ahmetaj i siguroi dhe mobiloi dy vila luksoze
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme mbi ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj vëren se një vilë luksoze në ‘Green Coast’ u sigurua përmes transaksioneve të papaguara për ish-bashkëshorten ndërsa një e dytë, u sigurua për bashkëjetuesen në Hamallaj, ku punimet u bënë falas nga një kompani që pati fituar tenderë të rindërtimit.
Nga Ola Xama dhe Gjergj Erebara-
Diku rreth gushtit të vitit 2022, lexuesi i sahatëve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në fshatrat Vuno, Palasë, Gjilekë e Iljaz në bregdetin jugor të Shqipërisë, merr një ankesë nga kompleksi Green Coast, një komunitet i mbyllur vilash luksoze ndërtuar përmes ligjit kontrovers të Investimeve Strategjike, miratuar në vitin 2015 me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në atë kohë, nën drejtimin e Arben Ahmetajt.
Pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore për llogari të SPAK më herët këtë vit, punonjësi i OSHEE-së tha se e kishte marrë në telefon banorja e vilës 73, e cila i pati thënë që matësi nuk është në rregull sepse i faturohet më tepër se sa konsumon. Punonjësi shkoi në vend, fotografoi sahatin dhe kartën e identitetit të ankueses dhe ia përcolli ankesën zyrës përkatëse. Specialistët e laboratorit bënë testimet dhe dolën në konkluzionin se sahati ishte në rregull dhe nuk kishte mbifaturim.
Vetëm se incidenti i vogël dhe në dukje pa rëndësi, pritet t’i kushtojë jo pak ankueses, ish-bashkëshorte e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, pasi në këtë mënyrë, ajo ofroi prova dokumentare në bazë të së cilës, SPAK doli në konkluzionin se vila 73, formalisht nën pronësinë e një shqiptareje me banim në Zvicër, është në fakt pronë e padeklaruar e Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes, Albina Mançka.
Hetimi i Prokurorisë zbuloi se dy vila, një në Green Coast dhe një tjetër në fshatin Hamallaj të Durrësit, duket se janë përfituar nga Ahmetaj përmes skemave të ndryshme të pastrimit të parave. Në rastin e Hamallajt, punimet e rinovimit, me vlerë të deklaruar nga sipërmarrësi 137 mijë euro, nuk u likujduan kurrë.
Deputeti Arben Ahmetaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kunër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv të lidhur me të ashtuquajturën afera e incineratorëve. Kuvendi ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestit ndaj Ahmetajt, por ndërkohë ai është larguar nga vendi.
Nga arratia Ahmetaj i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si ‘përndjekje’.
Pyetur më herët në prokurori, Ahmetaj ka mohuar se vila në Green Coast ishte në pronësi të tij ndërsa Mançka i ka thënë hetuesve se ajo e ka vilën vetëm në përdorim, ndërsa pronarja e saj është shtetasja Elda Dinaj, me banim në Zvicër, me të cilën ka miqësi të vjetër.
Edhe Dinaj, marrë në pyetje nga prokuroria, i ka qëndruar versionit të Mançkës, ndonëse prokurorët i kanë vënë në dukje një mal me prova se marrëdhëniet e saj me pronën e blerë kanë qenë sporadike, ndërsa marrëdhëniet e Mançkës kanë qenë intensive, përfshirë planet për mobilim dhe arredim të brendshëm si dhe objektet personale të sekuestruara nga oficerët gjatë kontrollit fizik të vilës. Prokurorët vërejnë se në ditën që Dinaj nënshkroi kontratën e blerjes së vilës, sistemi TIMS tregon se ajo nuk gjendej në Shqipëri ndërsa në mënyrë konveniente, noteri që regjistroi transaksionin, ishte i vëllai i Mançkës. Prokurorët vërejnë gjithashtu se pretendimet e Dinajt se punimet në vilë i ka paguar ajo vetë me para të sjella cash në Shqipëri duket se bien ndesh me faktin se ajo nuk ka deklaruar në doganë sjelljen e shumave të tilla, gjë që përbën detyrim ligjor kur kalon kufirin me mjete monetare të konsiderueshme.
Dhoma e vilës me emrat e fëmijëve
Prokurorët kanë zbuluar se vila në fshatin turistik ‘Green Coast’, me çmim fillestar prej 381 mijë eurosh, është blerë fillimisht Interte Express, kompania nën pronësinë e biznesmeni kontrovers Mond Bego, e cila ka paguar vetëm 50 mijë euro dhe vijon të konsiderohet debitore nga shitësi. Kjo vilë është shitur më pas nga Inerte Express për 300 mijë euro te shtetësja Elda Dina, e cila ka paguar vetëm 120 mijë euro.
Pavarësisht këtyre transaksioneve, në regjistrin e shitësit, Green Coast shpk, vijon të nxjerrë debitor kompaninë Interte Express, pavarësisht se afati kontraktual për shlyerje ka qenë vetëm 12 muaj, ndërsa kontrata parashikon penalitete të konsiderueshme për pagesa të vonuara, të cilat, duket se nuk janë zbatuar nga ana e shitësit.
“Nga hetimet ekziston dyshimi se edhe kjo është një pasuri e fshehur nga shtetasit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, e derivuar nga të ardhura të paligjshme dhe objekt i veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,” thuhet në dosjen që Prokuroria e Posaçme i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë.
Prokurorët vërejnë se edhe gjuha e përdorur në komunikimet e një punonjësi të kompanisë Inerte Express tingëllon si e lidhur me transaksione fiktive.
Kështu, përmes një numri telefoni, pronarin e të cilit prokurorët e kanë identifikuar në dosje vetëm me emër dhe pa mbiemër, pyetet punonjësi “nëse duhet të bëjnë ndonjë qarkullim”.
Komunikuesi vëren më tutje se “duhet të mbyllin vilën 73, e kanë mbetur pasi kanë arkëtuar vetëm një pesëdhjetëshe dhe janë për t’u qarkulluar edhe 337,731 dhe duhet të zgjedhë bankën ku do t’i kalojë.”
SPAK gjithsesi nuk ka identifikuar burimin e parave të përdorura për blerjen e kësaj vile ndërsa akuzon Ahmetajn dhe Mançkën për pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Provat kyçe të prokurorisë duket se janë siguruar nga sekuestrimi i të dhënave në një studio arkitekturore të punësuar nga Ahmetaj dhe Mançka për rinovime të pronave të shumta të tyre, si dhe të faturave dhe dëshmive të mbledhura nga një numër i madh qytetarësh dhe biznesesh që kanë punuar për rinovimin – nga shitësit e pllakave te bojaxhiu apo te pastruesja.
Nga dizajnot e përgatitura nga studio e arkitekturës, prokurorët zbuluan se si emrat e dhomave në vilën që supozohet se është nën pronësinë e Dinajt, janë mobiluar duke mbajtur emrat e Mançkës dhe fëmijëve të saj ndërsa edhe porositë e mobiljeve janë bërë në të njëjtin konktekst.
Historia e të dyja vilave, zbardhur nga hetimet e SPAK, paraqet një lidhje të ngushtë mes kompanive që përfitojnë kontrata publike apo licenca dhe korrupsionit politik, e pakufizuar kjo te skandali i incineratorëve, që ishte pikënisja e hetimeve. Hetimet zbulojnë gjithashtu shpenzime për mobilime luksi me një palë kolltuqe që kushtojnë mbi 5 mijë euro apo një krevat që kushton 4800 euro.
Hetimet kapin një episod në të cilin, procesi i rivlerësimit të pronave të patundshme, i ndërmarrë nga qeveria “Rama” në vitet 2019-2021, duket se ka krijuar edhe hapësirë manovrimi për pastrim parash me kosto minimale.
Kjo vërehet në procesin e rivlerësimit të një apartamenti, të blerë fillimisht për 45 mijë euro dhe të rivlerësuar për 130 mijë euro, duke legalizuar efektivisht diferencën prej 85 mijë eurosh kundrejt një kostoje minimale fiskale prej 2 për qind.
Në të dyja vilat janë përdorur disa transaksione për të fshehur origjinën dhe destinacionin e pasurisë, transaksione ku përfshihen disa kompani.
Hetimi, ndonëse i kufizuar te Ahmetaj dhe dyshimet për përfitime të paligjshme prej tij, duket se hap pista të shumta hetimore për korrupsione të tjera të dyshuara.
“Nga hetimet ekziston dyshimi se edhe kjo është një pasuri e fshehur nga shtetasit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, e derivuar nga të ardhura të paligjshme dhe objekt i veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,” shkruhet në kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit ndaj arrestit të deputetit Arben Ahmetaj nga Kuvendi i Shqipërisë.
Vila në Hamallaj
Klodian Zoto është një biznesmen në arrati, i akuzuar nga SPAK së bashku me ortakun e tij Mirel Mërtiri për veprat penale “Korrupsioni aktiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” në dosjen penale për inceneratorin e Elbasanit dhe veçmas, atë të Fierit.
Sipas hetimeve Zoto ka paguar nëpërmjet kartës së tij të kreditit dhe transfertave bankare udhëtime turistike luksi për Ahmetajn, familjarë dhe të afërmit e tij, si dhe disa zyrtarëve të tjerë socialistë në Evropë.
SPAK thekson në kërkesën drejtuar Kuvendit se shtetasi Klodian Zoto fshihet pas porosisë së një vile në fshatin Hamallaj në një kompleks të ri turistik në bregdetin e Adriatikut të zhvilluar nga kompania Mane TCI, e cila dyshohet së është pasuri e fshehur e ish-zëvendëskryeministrit.
Sipas hetimit, vila u porosit fillimisht në qershor 2017 nga Klodian Zoto, i cili, menjëherë ia përcjell drat-kontratën Mirel Mërtirit me porosinë: çoja pak frat t’i hedhi një sy dhe të më thotë për të dhënat që janë ok.” Duket se frat shkurt për fratello [vëlla në italisht] është mënyra se si Zoto dhe Mërtiri i drejtohen me përkëdheli Ahmetajt në këtë kohë.
Vila dykatëshe me 517 metra truall dhe 221 metra ndërtim, ka çmimin 129 mijë euro. Në nëntor të atij viti, kompania njofton Zoton se vila ka përfunduar së ndërtuari. Sipas kontratës, shuma e parave të rëna dakord duhej të paguhej tani. Në shkurt 2018, kontrata anulohet, pasi Zoto nuk pagoi.
Në skenë del shtetasi Gerian Kuka, pronar i kompanisë AE Distribution. Sipas prokurorisë, ai kishte një kontratë shkëmbimi me kompaninë Mane për një sipërfaqe toke në Dhërmi, në bazë të së cilës, Kuka ofronte 13 mijë metra katrorë tokë për zhvillim dhe merrte dy vila. Një amendim kontrate në vitin 2018, i dha atij edhe një vilë në Hamallaj, një transaksion për të cilin prokuroria ngre pikëpyetje pasi nuk duket se justifikohet nga ndonjë logjikë e vlefshme biznesi. Vetëm se, sipas hetimit të prokurorisë, vila nuk iu dorëzua Kukës, por shtetases Erjola Hoxha, e cila më pas u bë bashkëjetuese e Arben Ahmetajt.
Prokuroria vëren se përgjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021, Hoxha merret me rinovimin e vilës dhe me mobilimin e saj, por vetëm në mars 2022, Kuka ia shet vilën Hoxhës për 220 mijë euro. Prokuroria thotë se sigurimi i pagesës për vilën ndoqi një seri transaksionesh të dyshimta, ku morën pjesë kompani dhe individë, përfshirë prindërit e bashkëjetueses së Ahmetajt dhe shokun e tij të fëmijërisë, Artan Gjokaj, të cilit Ahmetaj i pati gjetur punë si drejtor te PetrolAlba më 2013, pasi u bë ministër.
Transaksionet e dyshuara të rreme, nisin me kompaninë StarTek, për të cilën, prokurorët nënvijëzojnë se ka qenë përfituese e fondeve të rindërtimit me ent prokurues Bashkia Tiranë. Më 2018, kjo kompani i shet prindërve të Hoxhës një apartament në rreshtin e pestë të kompleksit në Hamallaj, me sipërfaqe 70 metra katrorë dhe me çmim 45 mijë euro. Prokuroria vëren se blerësit u detyruan të hyjnë në borxhe për të paguar këstin e fundit, i cili u shlye më 24 janar 2022, një ditë para se të nënshkruhej kontrata finale. Dhe më datë 26 janar 2022, pronarët aplikojnë për rivlerësim të pronës, sipas ligjit të përkohshëm që mundësonte rivlerësim për efekt fiskal. Vlera e re e deklaruar: 130 mijë euro. Më 17 shkurt, shtetasi Artan Gjoka e blen apartamentin në fjalë për të njëjtën shumë. Menjëherë më pas, prindërit ia dhurojnë shumën e përftuar vajzës, e cila e përdor për të paguar 220 mijë euro për vilën.
Në thelb, një apartament 70 metra katrorë në radhën e pestë, u transformua, brenda një periudhe të shkurtër, në një vilë në rreshtin e parë të kompleksit turistik me sipërfaqe ndërtimi 220 metra katrorë dhe 500 metra truall.
Prokuroria vëren se Gjoka dhe bashkëshortja e tij jetojnë me qira në Tiranë, pavarësisht se kanë zgjedhur të shpenzojnë 130 mijë euro për 70 metra katrorë apartament pushimi në Gjirin e Lalzit ndërsa hetimet në studion e arkitekturës që është marrë me rinovimin e vilës në Hamallaj kanë zbuluar se edhe apartamenti i blerë në emër të prindërve, duket se i përket shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e Arben Ahmetajt.
“Shitja e apartamentit si më sipër të përshkruar, në vlerën 130 mijë euro dyshohet se është kryer në këtë vlerë, vetëm për të justifikuar çmimin që paguhet në vijim nga ana e shtetases Erjola Hoxha për blerjen e vilës,” thotë prokuroria.
Para se ta blinte formalisht vilën, Hoxha dukej se ishte marrë vazhdimisht me punimet dhe mobilimin e saj, që nga viti 2019. Por shumica e punimeve duket se u bënë gjatë vitit 2021. Në shkurt të atij viti, në kompaninë Egeu Stone mbërrin një faturë për 150 metra katrorë parket nga kompania Brunes me vlerë 13 mijë euro. Në prill të atij viti, një komunikim elektronik mes punonjësve të kompanisë shitëse, mban shënimin: ‘Gazim Bregu Kapar Mobilje’, shuma, 21 mijë euro. Kompania në fjalë shlyen edhe shumë fatura të ngjashme brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Gazim Bregu, pronar i kompanisë Egeu Stone, në fillim ka mohuar dhe ka bërë të paditurin. Pastaj, pasi prokuroria sekuestroi dokumente në kompaninë e tij, pranoi se ka kryer punime të shumta rinovuese në vilën në Hamallaj me justifikimin: “sepse punimet ishin skandal dhe kishte nevojë për restaurim”. Vila u pajis mes të tjerave me pishinë dhe punimet u kryen në një kohë rekord prej tre muajsh. U ble gur në Krujë për veshjen e oborrit dhe gjithçka tjetër.
Në total, kompania dyshohet se ka paguar minimalisht 137 mijë euro punime dhe materjale. Prokuroria nënvijëzon se kompania në fjalë ka qenë e angazhuar në procesin e rindërtimit të vendit pas tërmetit të 29 nëntorit 2019, proces që u mbikëqyr nga Arben Ahmetaj si zëvendëskryeministër.
“…rezulton se kjo shoqëri është përfshirë në procesin e Rindërtimit, në kohën kur ministër i Rindërtimit ka qenë shtetasi Arben Ahmetaj,” thekson prokuroria. “Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se shoqëria Egeu Stone shpk, ka përfituar të paktën 9 (nëntë) tendera në Procesin e Rindërtimit në periudhën nga 10.2020 në 08.2022. Në këto tendera, shoqëria Egeu Stone ka qenë pjesëmarrëse si bashkim operatorësh ekonomikë. Vlera e këtyre procedurave të prokuromit është në shumën 2,065,195,775.5 lekë, ose afërsisht 16.8 milionë euro,” thotë prokuroria.
Prokuroria duket se po heton se nga kanë dalë paratë e rinovimit dhe ka vënë re se Egeu Stone ka bërë shitje te A.E Distribution, kompania e Gerian Kukës, me vlerë afro 13 milionë lekë të rinj. Prokuroria nuk e shpjegon natyrën e këtij transaksioni.
Në maj 2023, Gazim Bregu ka vajtur te Policia Gjyqësore për të dorëzuar një deklaratë ku thotë se punimet që ai ka kryer në vilën në Hamallaj kanë vlerën 137 mijë euro dhe se kjo është një faturë e palikujduar nga porositësi.
Prokuroria thotë se ka arritur të vërtetojë se vila ka qenë efektivisht nën kontrollin e Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij që nga viti 2018, kur Zoto e porositi, ndërsa transaksionet e mëvona janë bërë me qëllim fshehjen e burimit të vërtetë të pasurisë, shtetasit Klodian Zoto. Prokuroria vëren se veprimet e Ahmetajt përbëjnë veprën penale të korrupsionit ndërsa në bashkëpunim me bashkëjetuesen, duket se është përgjegjës për pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
“E gjithë ecuria si kalimi te shtetasti Gerian Kuka e më pas tek Erjola Hoxha është bërë me qëllimin e vetëm për mbulimin e origjinës,” thonë prokurorët.
“…nga të dhënat e administruara, ekziston dyshimi i arsyeshëm, mbështetur në prova se objekti Vila Saphire nr. 22, është produkt i veprës penale të korrupsionit, dhënë nga shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, shtetasit Arben Ahmetaj. Ky i fundit, nëpërmjet njohjeve të tij, ka organizuar një skemë të pastër të pastrimit të parave, me qëllim mbulimin e origjinës së vërtetë të kësaj pasurie,” shkruajnë prokurorët Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai.
Pyetur nga prokurorët, Ahmetaj deklaroi se ai nuk kishte dijeni për vilën sepse ajo ishte e Erjolës dhe familjes së saj. Ai nuk kishte dijeni se çfarë punimesh ishin bërë dhe se si janë paguar.
Erjola Hoxha deklaron se vilën në Hamallaj e bleu për 220 mijë euro duke përdorur 90 mijë euro të kursyera në vite dhe 130 mijë euro të ardhura nga shitja e një apartamenti të prindërve./BIRN/