Bizneset mbahen me kursime, ekspertët: Kredia sovrane ka kushtet e një kredie tregtare

Bizneset e shohin si mundësinë e fundit aplikimin për kredi sovrane për të përballuar krizën financiare, që ka shkaktuar koronavirusi.

Në një anketë të kryer nga Këshilli i Investimeve, vërehet se 34% e bizneseve në vend parashikojnë të përdorin kursimet, ndërsa 32% e tyre, do të shkurtojne vendet e punës.

Pano Soko, ekspert ekonomie: ”Duke marrë parasysh faktin që kompanitë shqiptare nuk është se kanë shumë kursime, dhe kjo përbën atë që quan brishtësinë e ekonomisë sonë, besoj se goditja kryesore do vijë të reduktimi i kostove. Reduktimi i kostove, ku pjesën e luanit e zë stafi. Ka pasur raste pafund të refuzimit të kredive sovrane, edhe sot që flasim. Të grantit të parë po themi atë që kishte për synim pagat, Granti i dytë s’ka filluar akoma.”

136,000 të papunë janë regjistruar për periudhën mars-maj sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa ekspertët vlerësojnë se fokusi i qeverisë duhet të zhvendoset në këtë problematikë.

Pano Soko, elspert ekonomie: ”Premisa nuk është shumë pozitive. Fakti që sot ne kemi 160 mijë vende të mbyllura, mund të jetë real fakti që këto vende të mbyllura të kthehen në vende të shuara. Duhet rregulluar ai treg pune që është vetkrijuar. Pra kamarierit duhet t’ia japim punën prapë.”

Megjithatë, duket se teknologjia, do të jetë sfida e të ardhmes, për punonjësit që kanë humbur vendet e punës.

Erion Muça, ekspert punësimi: ”Tanimë është momenti që jo vetëm duhet të zhvillohen aftësitë dixhitale, të pjesës më të madhe të punonjësve apo profesionistëve në treg, por duhet shfrytëzuar këto aftësi në nivel konkurence për t’i zhvilluar më tej, sepse në një moment të dytë pas pak vitesh, do jetë një mjet konkurues për cilindo.”

Nga ana tjetër, anketa vë në dukje faktin se vetëm 2% e bizneseve prodhuese arrijnë të sigurojnë lëndën e parë brenda vendit, ndërsa pjesa tjetër preket drejtpërdrejtë nga mbyllja e kufijve.

SHKARKO APP