Biznesi amerikan: Tatimet autoritet pa kufi në Shqipëri. Nuk njohin limit ligjor

 

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë reagon ashpër ndaj forcimit të masave ndëshkuese kundrejt bizneseve duke paralajmëruar se ato mund te rezultojne fatale nëse nuk shoqërohen me politikë lehtësuese. Në një deklarate për shtyp theksohet se gjobat po japin efekte negative tek bizneseve, duke i çuar drejt falimentimit në vend që të korrektojnë gabimet e tyre.

Biznesi amerikan forcon tonet e kritikës ndaj masave penalizuese të marra kundrejt biznesit në kuadër të luftës kundër informalitetit, duke i vlerësuar ato shumë të ashpra.
Përmes një njoftimi, Dhoma Amerikane e Tregtisë ngre si shqetësim faktin se këto masa mund të rezultojnë fatale për biznesin në vend.

“Ne mendojmë se ky plan masash duhej të konsultohej më parë me biznesin dhe duhet të kishte edhe përkrahjen e tij.Shqetesimi ynë është se ky plan masash në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin duke i prerë rrugëtimin bizneseve të cilat kanë paqartësi dhe probleme të riparueshme, por dhe iniciativave të reja të cilat nuk munden të lulëzojnë në një klimë të tillë”.

Ashpërsimi i masave penalizuese sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit, por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm deri ne falimentim.

“Masat penalizuese në ligj nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Gjobat dhe penalitetet duhet të jenë në proporcion me nivelin e biznesit. Në të gjithë botën gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milion lekë nuk mund të gjobitet 10 milion lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit”.

Pavarësisht këtyre rezervave për masat penalizuese Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet se e mbështet luftën kundër informalitetit, duke argumentuar se kjo reformë duhet menduar mirë, dhe se ka nevojë për politika fiskale lehtësuese që të nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale.

SHKARKO APP