Biznesmeni u vra për borxhe; Ekzekutori me dosje, ish-polici u lirua nga burgu
Vrasja e biznesmenit Memli Begalla në 14 shkurt të këtij viti në Tiranë, është bërë për shkak të borxheve të pashlyera. Policia me anë të një deklarate për mediat është shprehur se ka ndaluar dy persona të dyshuar si autorë të ekzekutimit të biznesmenit Begalla. Kreu i Policisë së Tiranës, Kastriot Skendaj ka bërë të ditur se janë vënë në pranga Alban Serezi i cili rezulton të jetë ish-polic dhe Denis Demiri, i arrestuar në 2012 në tentativë vrasje.
“Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se Denis Demiri, ka kryer ekzekutimin e Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima”,-tha Skendaj.
Më tej kreu i policisë së Tiranës, nuk dha detaje mbi mekanizmin e vrasjes, por nënvizoi se janë seksuestruar prova materiale. “Në cilësinë e provës i është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë”. Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.
Për dy autorët e dyshuar, janë të njohur për uniformat blu, e për të tepër njëri ka qenë polic. Ekzekutori, Denis Demiri është arrestuar në vitin 2012, pas një tentative për vrasje, kurse ndihmësi, është ish-polici Alban Serezi, është arrestuar në vitin 2014 me 1 ton kanabis për trafik droge nga Lazarati.
Gjurmët
Pista që ndoqi policia për të rënë në gjurmët e autorëve, e kanë dhënë këta të fundit. Skendaj informoi se dy të arrestuarit janë mbajtur në përgjim për 6 ditë radhazi, kur kanë folur me njëri-tjetrin kanë thënë se “shpëtuam ne, se u kapën të tjerë”. Ka qenë pikërisht kjo bisedë mes personave që çoi në arrestimin e tyre. Të arrestuarit janë takuar disa herë me njëri-tjetrin dhe në komunikimet që kanë pasur përsërisnin që “shpëtuan pasi ishin ndaluar persona të tjerë”. Nga ana tjerët, policia ka marrë prova të shenjave të gishtave ku të arrestuarit ishin në një lokal për kafe. “Janë krahasuar me disa gjurmë që u gjetën në vendin e ngjarjes duke bërë lidhjen. Pasi dokumentoi të gjitha provat e nevojshme policia ndërhyri duke arrestuar dy personat”,-tha më tej Drejtori i Policisë së Tiranës.
Ngjarja
64-vjeçari nga Tepelena u ekzekutua mbrëmjen e 14 shkurtit në zonën e ish-bllokut, në Tiranë. Ai u qëllua për vdekje disa herë nga persona të cilët udhëtonin me një automjet dhe ishin vënë në ndjekje të tij. Autorët kanë përdorur armë me silenciator, për të mos krijuar zhurmë në një zonë të mbipopulluar. Memli Begalla sapo kishte dalë nga automjeti i tij, kur u qëllua nga prapa disa herë. Ai u pikas i shtrirë në tokë nga kalimtarët, të cilët lajmëruan sallën operative si edhe shërbimin spitalor. Vdekja e 64-vjeçarit ka qenë e menjëhershme, pasi qitjet mbi të janë kryer nga shumë afër.
Demiri tentoi të vriste në 2012 për xhelozi
Alban Demiri u arrestua në 1 prill të vitit 2012 pranë Maternitetit të Ri, tek zona e “Brrylit” në Tiranë, teksa përgatitej të kryente një tjetër vrasje. Në atë kohë Demiri ishte gati të vriste shtetasin me iniciale F.A, banues në Kinostudio Tiranë. Ky akt i rëndë do tu merrte pas një sherri për motive xhelozie. Demiri u mbajt në vëzhgim prej një jave nga policia, dhe ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes duke i shoqëruar të dyja palët në Komisariatin Nr. 4, duke u njohur edhe me problemet e tyre. Për këtë arsye, duke mbajtur në vëzhgim Denis Demirin pas incidentit, u bë e mundur që të parandalohej edhe vrasja e mundshme që ai dyshohet se ishte duke u përgatitur ta kryente.
Ish-polici u kap me 1 ton drogë në Lazarat
49-vjeçari Ardian Serezi ka qenë bashkëpunëtor në vrasjes e biznesmenit. Serezi është i njohur, pasi ka qenë punonjës policie. Ai ka shërbyer në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Tiranë, dhe është arrestuar në vitin 2014 me 1 ton kanabis për trafik droge nga Lazarati. Deputeti i PD-së, Flamur Noka akuzoi asokohe Ardian Serezin si person të afërt me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. “I ndaluari nga Policia e Gjirokastrës me 1 ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga Rilindja, me precedentë penalë dhe njeri i afërt i ministrit të Brendshëm. Ai njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i ministrit të Brendshëm”, deklaronte Noka në atë kohë.
Si u lirua nga burgu një nga vrasësit e Begallës
Ardian Serezi u arrestua së bashku me Denis Demirin për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. Por edhe se u kap me një ton kanabis në 2014, Ardian Serezi bëri vetëm 3.5 vite burg. Sipas vendimeve të Gjykatave, në datë 15.10. 2015 Serezi është shpallur fajtor duke u dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër me 9 vite burg, përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht 6 vite burg, ndërsa në datë 21.12.2015 vendimi është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Bazuar te dy vendimet e gjykatave, Ardian Serezi duhet të ishte pas hekurave për të vuajtur dënimin për trafik droge, por është liruar me kusht, pasi bëri më shumë se gjysmën e dënimit 3.5 vite (llogaritur edhe periudhën nga momenti i arrestimit në 2015 deri në shpalljen e vendimit në tetor 2015).
KOHA JONË SONDAZH

