Biznespolitika e Fatos Nanos dhe hallet e Ramës
Edi Rama sa më shumë kriza t’i shfaqen në PS dhe në qeverisje, po aq me vrap mundohet të gjejë shtigje për të rikuperuar vota. Kërkesat që kanë ish-at e PS-së, ndonëse dikur i ka sikterisur, kryeministri ua plotëson urgjent. Kështu veproi para zgjedhjeve parlamentare 2017, kur ishte në krizë dhe takoi Fatos Nanon në vilat qeveritare në Durrës, ku i kërkoi të fliste publikisht pro Edi Ramës. Ish-kryetari dhe ish-kryeministri i PS-së, Fatos Nano që humbi pushtetin e partinë në vitin 2005, doli vjet në qershor 2017 dhe tundi dhëmbët kundër LSI dhe PD, aqsa të gjithë kujtuan se Nano e bëri për socialistët. Por pas deklaratës së tij, Erion Veliaj me urdhër të kryeministrit Rama (mediat botuan fakte) firmosi një leje ndërtimi për firmën e bashkëshortes së Fatos Nanos, Xhoanën. Mjafton të kaloni pas TEG-ut të Samir Manes dhe shikon ndërtimin e një grupi rezidencial VIP, që erdhi pas takimit Nano-Rama.
Edhe tani që kryeministri Rama nuk i ka shumë mirë punët dhe ku firojnë votat socialiste për shkak të qeverisjes dhe mosmbajtjes së premtimëve, i hyn në punë prapë Fatos Nano. Dhe duhej t’ia shpërblejë nderin Fatos Nanos, sapo ti duhet ai të flasë për PS-në dhe socialistët e thjeshtë. Siç njofton portali i njohur i gazetares Anila Basha, newsbomb.al kryeministri ka emëruar djalin e ish-kryeministrit Nano në një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme shtetrore, ku lëvizin e planifikohen investime dhe qindra milionë dollarë.
Sokol Nano, djali i ish-Kryeministrit Fatos Nano, është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA). Djali i Fatos Nanos, Sokol Nano, i cili njihet edhe si pronar i një prej club-eve me famë në kryeqytet është emëruar drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, (AIDA) mëson ekskluzivisht newsbomb. Sokol Nano është djali i Fatos e Rexhina Nanos. Për të qenë realist Sokol Nano është administrator i zoti dhe këtë e ka treguar duke menaxhuar club-in e tij privat mu në ish-bllok.
Për këtë vit nuk besohet të dalë më Fatos Nano. Vjet doli dhe nuk doli keq, as ai e as Edi Rama. Tani mori AIDA-n.
Biznespolitika në PS njeh ekselencë, aqsa dikur Pjetër Arbnori pati thënë në parlament, kur socialistët morën pushtetin. Arbnori tha se “këta nuk janë socialista, por janë specialista”. Ajo shprehje u bë proverbiale.
Ndaj Fatos Nano ishte jo vetëm ish-kryesocialist, por mbetet kryespecialist.
S.P.
KOHA JONË SONDAZH

