Blendi Fevziu!
Kur thua Blendi Fevziu, emrit dhe profilit të një prej personazheve më të rëndësishëm të medias shqiptare, i ke veshur virtytet e një profesionisti të vërtetë. “Opinion” nuk është thjesht një emër i formatit që ai drejton prej më shumë se 20 vitesh, është tashmë “terreni” ku përplasen idetë, tematikat, të ftuarit specialë, personazhet e të gjitha sferave që lëvrojnë mesazhe, ide, pikëtakime, qasje individuale sa herë janë pjesë e studios së tij.
Në morinë e pafundme të personaliteteve që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij profesional, ka disa personazhe epikë, që kanë kaluar nëpër kohë, ngjarje dhe zhvillime tejet të rëndësishme. Njerëz që kanë lënë gjurmë të forta në histori, me gjeste apo vendime shumë të vështira.
Por, ata që veçon Blendi Fevziu janë emra që qëndrojnë në podin e historisë dhe suksesit, për vet stilin dhe mënyrën si e kanë ndërtuar rrjedhën e jetës së vet. “Ata që mbaj mend me shumë nostalgji janë Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë dhe Jusuf Vrioni. Bashkë me ta, Kadare është një personazh mahnitës. Por mos harroni, ka pasur personazhe që kanë qenë në konflikte me njëri-tjetrin, që janë luftuar, si Ramiz Alia e Abaz Ermenji. Apo edhe të tjerë. Në fund të jetës, kjo luftë është bjerrur dhe ata nuk kishin asnjë shans tjetër veçse të rrëfeheshin. Është pak a shumë ai rrëfimi i fundit i jetës, ku ti pyet veten: Çfarë kam bërë mirë dhe gabim në këtë botë. Edhe pse nuk e korrigjon dot më”, thekson drejtuesi i “Opinion”.
Por, përtej imazhit të kuruar, dukjes klasike me të cilën vjen në sytë e audiencës dhe publikut çdo ditë nga e hëna në të enjte, qëndron edhe një gazetar plot pasione që i kapërcejnë dukshëm kufijtë e profesionalizmit. Pasionet janë ato që latojnë eksperiencat më mbresëlënëse të jetës, duke krijuar edhe një arkivë kujtimesh të çmuara. Udhëtimet, janë një syresh prej tyre, ku Blendi rrëfen për vendet e vizituara deri tani, dhe destinacionet e pritshme.
Dhe teksa i numëron të tilla përvoja, në kontinentet më të largëta të botës, ndoshta shumë prej nesh i këto vende i ka jetuar me imagjinatë ose thjesht në librat e letërsisë artistike dhe vetëm kaq! Fevziu e ka luksin t’i përjetojë në detaje të tilla ndjesi. Ashtu, siç ka pasion udhëtimet, ka edhe të shkruarit. Autor i disa librave, ndërsa një tjetër me tematikë mbi luftën e Kosovës dhe rolin e Hashim Thaçit është gati që të shoh dritën e botimit, dhe sipas vet autorit do të jetë një libër mjaft interesant. Ai flet edhe për vitin më të bukur, e që do i ndryshonte kryekëput jetën. Nëse do të thoshte vitet e lindjes së vajzave, kjo është e kuptueshme për vet gëzimin dhe motivin që i kanë dhënë atij prej ditës së parë kur erdhën jetë. Por, një tjetër vit, ai magjik e cilëson Fevziu vitin 1990 që i ndryshoi dhe shënjoi thellësisht jetën e tij të mëvonshme.
Ishte viti që e bëri të besoj se ëndërrat ekzistojnë dhe shpesh ato bëhen realitet. Në këtë rrëfim ndryshe për revistën Class, moderatori i njohur i “Opinion” flet pa doreza edhe për historinë e dashurisë me Ines, bashkëshorten e tij, për raportin me dy vajzat Mishel dhe Alis, për rolin e tij si baba, për rutinën e përditshmërisë së tij nga zgjimi në mëngjes e deri në përfundimin e emisionit, për miqtë e ngushtë, për kritizerët, për të ftuarit e të paftuarit në këto 20 vite histori suksesi në “Opinion”!
Sepse i tillë është Blendi Fevziu! Di mjeshtërisht të prodhojë sukses falë rregullave të arta që vetëm ai i di!
Cilat janë emisionet më kulmore, nëse mund t’i kujtoni pas kaq vitesh? Opinioni që nuk do ta harroni kurrë?
Debati Nano- Berisha në 31 Janar 2002. Ishte takimi i parë i tyre pas më shumë se 11 vitesh që nuk ishin takuar dhe i pari e i fundit format i këtij debati në TV. Përtej kësaj ishte edhe një ngjarje mediatike. U transmetua live në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe nga thuajse gjithë televizionet shqiptare. Vështirë që dikush që ishte para TV të mos e kishte telekomandën tek ai debat.
Ka pasur personazhe që nuk i janë përgjigjur ftesës suaj për në emision? Cilët?
Ndër personazhet e rëndësishëm ka qenë vetëm njëri, Ibrahim Rugova. U takuam disa herë dhe po ashtu folëm, por ai hezitoi. Kjo ishte pas ngjarjeve të 1999 dhe kam përshtypjen që ai nuk donte të fliste për takimin e tij me Millosheviçin në prill 1999.
I keni ftuar më?
Rugovën e pata ftuar disa herë. Në Janar 2006 ai u nda nga kjo jetë dhe mbeti pa e dhënë intervistën. Ndërkohë të tjerë nuk është që më kujtohen, por me siguri ka pasur.
Cilët janë të ftuarit që ju kanë bërë më shumë përshtypje, ndoshta kjo në fillimet e programit, por ndoshta edhe ata që gjithmonë kanë një lloj ndikimi e aureole tëveçantë?
Janë shumë prej atyre të parëve, por edhe më vonë. Kjo është edhe pak personale. Disa prej tyre ishin personazhe epikë, që kishin kaluar nëpër kohë, ngjarje dhe zhvillime tejet të rëndësishme. Ishin njerëz që kishin lënë gjurmë të forta në histori, me gjeste apo vendime shumë të vështira. Por ata që mbaj mend me shumë nostalgji janë Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë dhe Jusuf Vrioni. Bashkë me ta, Kadare është një personazh mahnitës. Por mos harroni, ka pasur personazhe që kanë qenë në konflikte me njëri tjetrin, që janë luftuar, si Ramiz Alia e Abaz Ermenji. Apo edhe të tjerë. Në fund të jetës, kjo luftë ishte bjerrur dhe ata nuk kishin asnjë shans tjetër veçse të rrëfeheshin. Është pak a shumë ai rrëfimi i fundit i jetës, ku ti pyet veten: Çfarë kam bërë mirë dhe gabim në këtë botë. Edhe pse nuk e korrigjon dot më…
Cili është personazhi që keni ftuar më shpesh?
Nuk di ta them. Sepse varet në debate apo intervista. Po janë thuajse të njëjtët: Lubonja, berisha, Kadare, Rama, Nano…
Cilët nga personazhet e huaja do kishit dashur të intervistonit?
Gorbaçovin dhe Margaret Theçerin. Edhe pse ai iku nga kjo botë kur unë isha student, padyshim edhe Graham Grimin.
A ju kanë kërcënuar ndonjëherë për temat delikate që janë trajtuar në emisionin tuaj?
Jo, thuajse kurrë. Mua personalisht jo.
Cili është ryshfeti më i madh që ju kanë ofruar ndonjëherë (nëse jua kanë ofruar) për të mos trajtuar një temë në emisionin tuaj?
As kjo s’ka ndodhur kurrë. Ka pasur tentativa për të shmangur ndonjë temë “miqësisht” por kanë qenë thjesht sugjerime. Asgjë më shumë.
Ndonjëherë duket sikur nuk e keni mendjen fare në program, sikur lexoni mesazhe, ndërkohë që të ftuarit grinden. Vetëm duket apo kështu është?
Jo nuk është kështu. Zakonisht shoh mesazhet që më dërgon stafi ose persona që po ndjekin emisionin. Jam shujmë i vëmendshëm në ato që thonë më beso…
Shpesh ka ndodhur që kur keni pasur të ftuar në studio Kryeministrin Rama, në Top Story ishte kreu i PD-së, Basha, ose kur ju keni pasur Presidentin Meta, atje ka qenë i ftuar zoti Rama, pra ndodh përplasja mes audiencave. Është thjesht rastësi, apo ju informoheni më parë për të ftuarit e “konkurentit” (nëse mund ta quajmë kështu), Sokol Balla?
Zakonisht për personazhe të tillë ka spote paralajmëruese. Por njëkohësisht ne i dimë axhendat e lëvizjes së tyre si pasojë e kontaktit me stafet mediatike që ata kanë. Në këtë rast ti mendon të gjesh personin ose temën më adapte për ta ndarë audiencën.
Ka pasur raste që ju kanë kritikuar si të njëanshëm gjatë intervistave, se tregoheni shumë të ashpër me përfaqësues të PS-së dhe shumë të butë me të PD-së. Ju si do u përgjigjeshit?
Varet nga kush vjen kritika. Zakonisht këtë e thonë ata që janë afër PS. Po të dëgjosh ata që janë afër PD thonë krejt të kundërtën. Kjo është pak a shumë si ajo se çfarë muzikë dëgjon. Dhe muzikën që dëgjon ti beson se e dëgjojnë të gjithë. Por, nuk është kështu.
Cili ka qenë ai që ju mund ta konsideroni si skandalin më të madh në Opinion? Po sherri më i pamenaxhueshëm?
O ka pasur shumë. Por më i keqi është ai që më ka pasur mua si protagonist, jo ndonjë të ftuar. Sherri i Majit 2013 me Artan Lamen, kur unë i bërtisja ‘Pusho’. Kështu që s’ka nevojë të ngarkoj me përgjegjësi të ftuarit. E marrë vetë këtë përgjegjësi.
Ua jepni të ftuarve përpara intervistës pyetjet?
Në vitet 1997 – 1999 po. Ruaja vetëm 3 – 4 pyetje më surprizë që ata nuk i dinin. Pas kësaj kohe jo më. Ju jap temat ku do mbështetemi po jo pyetjet. Por duhet të dini një gjë. Shumë prej pyetjeve dalin nga përgjigjet e të ftuarve. Unë bëj gati për një intervistë midis 20 dhe 25 pyetje. Në fund, kur kontrolloj të nesërmen intervistën janë diku midis 100 dhe 110 pyetjeve. Pra më shumë se 80 përqind del gjatë intervistës.
A ka personazhe që nuk vijnë në studio nëse nuk i dinë pyetjet?
Të gjithë!
A i kontrolloni mediat se çfarë shkruajnë për ju si Blendi Fevziu, por edhe për lajmet që mund të dalin nga emisioni juaj?
Asnjëherë. Ato të lajmeve i kontrollon stafi. Por zakonisht e dimë, sepse lajmet që dalin nga ne edhe të tjerët i marrin nga Opinion.al.
Po komentet në rrjetet sociale?
Asnjëherë. Më duket humbje kohe. Plus mua s’më ngjallin asnjë emocion komentet on line. Me apo pa emër. Zakonisht mërzitem kur 5 – 6 persona që i vlerësoj më thonë që diçka ka shkuar keq ose jo mirë.
Cili ka qenë lajmi më i keq që keni lexuar për veten tuaj, nëse ka pasur? Po më i miri?
Ka pasur plot marrëzira, por s’është se më kujtohet gjë tani. As për mirë as për keq. Zakonisht edhe nuk i fiksoj.
Ç’lidhje keni me median online? Përse vendosët për të krijuar opinion.al?
Media on line është e ardhmja e lajmit. Veç kësaj, ne e shihnim që lajmet për emisionin hallakateshin shumë. Duke i nxjerrë në Opinion.al, në një farë më mënyre në kanalizojmë në mediat e tjera dhe portalet atë që besojmë ne se është më e rëndësishme dhe jo detajet…
Sa kontribuoni vetë aty me informacione të ndryshme, sidomos nga politika duke qenë se keni shumë njohje?
Varet nga koha. Këto kohë jam duke shkruajtur një libër dhe kohën e lirë ma merr ai. Nuk kam mundësi të shkruaj në Portal.
Ju pranuat para pak kohësh që ju kishin bërë oferta të majme për të ndryshuar televizion. Nuk pranuat sepse oferta ishte e shëmtuar, apo sepse nuk rrini në Klan për rrogën?
Unë kam pasur oferta që vitin e parë që jam vendosur në Klan, në tetor 1998. Nuk kam ikur kurrë sepse mendoj që njeriu lidhet me një vend pune dhe krijon një imazh të tijin të lidhur edhe me siglën e TV. Ndërkohë nuk paragjykoj askënd nga ata që lëvizin nga një Tv në tjetrin për të gjetur hapësirën e tyre të lirisë dhe komoditetin profesional. Unë besoj se i kam pasur këto në Klan. E kam thënë edhe një herë. Lidhja ime me Klanin ka qenë më shumë emocionale. Kur ky emocion të rreshtë, kurdo që kjo të ndodhë, nuk do të jem më aty…
Për çfarë do ta linit Tv Klan? Po Opinionin?
Nuk di ta them këtë, por nuk ndihem i tunduar për të lënë asnjë nga të dyja…
Kemi parë shumë tituj sesa paguhet Fevziu, por asnjëherë në përmbajtje nuk është treguar shifra. Do ta marrim vesh ndonjëherë rrogën tuaj?
Shumë e komplikuar. Nuk besoj se do ta merrni vesh dhe komentet vetë janë absurde. Po unë as vetë nuk e di sa paguhen të tjerët. Nuk kam pyetur kurrë, kështu që s’di të bëj as krahasime…
A jeni në këtë moment të jetës profesionalisht i përmbushur apo ka akoma një objektiv të madh që doni ta realizoni?
Atë moment që njeriu përmbushet jeta e tij profesinale kthehet në rutinë. Për mua nuk është kthyer ende, madje fare. Çohem në mëngjes me kënaqësinë që do bëj punën që do të doja të bëja…
Çfarë keni menduar për të ardhmen e këtij programi?
Update me ritmin dhe kërkesën e kohës. Kjo është e gjitha…
Mendoni ndonjëherë që Opinion po ju mban peng karrierën?
Varet për kë karrierë flisni. Nëse flisni për karrierë politike, kam refuzuar që shumë herët të jem deputet, ministër apo edhe pak më shumë. Më është dukur humbje kohe dhe padyshim më pak e rëndësishme se sa të drejtosh një emision influent për natë në Tv.
Në festën që organizuat për Opinion, kush nuk erdhi, por pati dhe nga ata që e kritikuan, si zakonisht. Mendoni tani që ndoshta vërtet u bë shumë e madhe, apo ky ishte qëllimi?
Në fakt u bë e madhe apo jo se kam menduar. Unë kisha një skenar në kokë që për hir të së vërtetës shkoi siç e kisha menduar. Dhe kjo më bëri të ndihem mirë. Qëllimi i vetëm ishte të beja një paradë të 20 viteve dhe personazheve, përmes një forme që nuk kishte qenë prezente në Shqipëri. Për këtë zgjodhëm transmetimin për 20 orë, nga të cilat më shumë se 12 live…
Ndonjë peng i madh nga këto 20 vite për diçka që nuk e keni bërë apo nuk e keni bërë si duhet?
Që të jem i sinqertë nuk kam ndonjë peng. Ndoshta mund të kisha qenë më prezent në luftën e Kosovës më 1999. Ky ka qenë një moment i gabuar i imi. Sepse isha edhe në Klan edhe në TVSH.
E keni arritur atë pikë të jetës që nuk punoni për para, por për kënaqësi?
Asnjëherë nuk ka një pikë të tillë. Më besoni.
Çfarë raporti keni me kritikat në përgjithësi që vijnë nga njerëzit e medias për ju, për një si lloj vaniteti, apo supermacie të perceptuar?
S’i kisha dëgjuar fare këto gjera. Sa për vanitetin varet ku e shohin. Unë ndihem shumë sportiv dhe shumë energjik. Sportiviteti zakonisht ska lidhje me vanitetin.
Kush është kritikuesi juaj më i madh?
Miqtë e afërt. Ata mundohen të më vënë më shumë më pah gjërat që nuk ecin.
A shihni televizion, çfarë programesh?
Po shoh. Po kryesisht lajmet dhe programet informative. Zakonisht djek BBC dhe CNN. Kanë programe fenomenale.
Cilat janë programet më të mira në televizionet shqiptare?
Ka shumë. S’po hyj në emra konkretë.
Cilin gazetar në Shqipëri e shihni si konkurrentin tuaj më të fortë?
Të gjithë padyshim. Nëse beson se dikush është më pak i aftë dhe më i parrezikshëm për ty, dije që atë moment ke dështuar dhe ka nisur rënia jote.
Kur e keni ndier për herë të parë që ishit bërë i njohur?
Varet nga lloji i njohjes dhe ambienti. Në gjimnaz isha i njohur se isha shumë i shoqërueshëm dhe lëvizja shumë. Në fakultet isha i njohur sepse isha një prej atyre që botonin shumë shpesh në gazetën Studenti. Po bëhet fjalë për njohje brenda gjimnazit dhe universitetit. Në Dhjetor 1990 – Shkurt 1991 u bëra i njohur nga lëvizja studentore dhe gazeta RD. Më pas kam qenë i njohur si gazetar politik. Nga 1997 në Tv filloi një tjetër dimension njohjeje.
Ku e keni përdorur emrin për të zgjidhur situata të caktuara?I keni zgjidhur?
Se besoj! Nuk është se kam pasur situata kaq të vështira.
Çfarë do të thotë për ju “fama”?
Kjo çështja e famës është pak komike në një vend të vogël si Shqipëria. Në një vend ku kudo që shkon të del përpara o një kushëri, i një shok shkolle, o një komshi i hershëm apo ndonjë tjetër i njohur. Fama, nëse mund ta përdor këtë fjalë, ka sens në vende me hapësira të mëdha, ku atë që e sheh në tv, stë bie rradha ta shohësh kurrë përballë në jetë, por në një vend të vogël si yni, është një fjalë që tingëllon pak komike.
Cilët janë miqtë tuaj më të ngushtë? Ka nga ata që i keni njohur në Opinion?
Shumica mbeten ata që kanë qenë gjithnjë, prej viteve të studimeve, kur nuk kishte as karrierë dhe as ëndërra të ngjashme me këto të sotmet. Dhe kur miqësia nuk ka asnjë llogari brenda, por është thjeshtë kënaqësi e miqësisë. Unë kam qenë në një klase me Ben Blushin dhe Andi Bushatin. Që prej asaj kohe këta vijojnë të mbeten miq të afërt. Ndër miqtë e afërt padyshim hyjnë edhe Aleksandër Frangaj e Armand Shkullaku. Por në 15 vitet e fundit ka edhe miq të tjerë që nuk i takojnë gazetarisë, por kanë fusha të tjera ku janë të impenjuar.
Jeni zhgënjyer ndonjëherë prej tyre në një çast që nuk e keni pritur?
Prej atyre që i konsideroj miq, jo!
Si jeni njohur me bashkëshorten?
E kam njohur nga miq të përbashkët në atë që njihej si Bordura e Hotel Dajtit kur ajo ishte 15 vjeç dhe unë student i vitit të parë. Më bënë shumë përshtypje sytë. Që nga ajo kohë e humba dhe e ritakova pas më shumë se 11 vitesh. Sërish rastësisht.
Cili është profesioni i saj?
Ekonomiste.
Inesi është shumë e tërhequr nga jeta publike. Krijon një farë problemi që keni dy stile krejt të ndryshme jete?
Besoj se kjo ka qenë mënyra më e mirë se si ka funksionuar kjo marrëdhënie. Vetëm si e tillë mund të funksiononte.
Cilat janë të përbashkëtat tuaja, duke qenë se dëshira për të qenë personazh publik, sigurisht që nuk bën pjesë te to?
Protagonizmi publik nuk mund të jetë dëshirë e përbashkët, ai është një lloj ekzibicioni. Kur dy njerëz rrinë bashkë ndajnë shumë gjëra midis tyre. Dhe fakti që ndan të bën të jetosh bashkë. Por ndarja nuk është me fusha, nga më pak apo më shumë, ndan gjithçka.
Jua ka kërkuar ndonjëherë Inesi të hiqni dorë nga kjo punë? Nëse po, në ç’situatë?
Jo, kurrë. Madje nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punën time.
Çfarë keni ndier kur kanë lindur vajzat?
Të njëjtën ndjesi që ndjen çdo qënie njerzore kur bëhet prind. Dhe për mua kjo është ndjenja më e thellë dhe e pandryshueshme që nga lindja e njerëzimit.
Jeni përlotur ndonjëherë, për çfarë?
Po, shumë herë. Kur dëgjoj histori dhe fate njerëzore prekëse. Së fundmi më ndodhi ndërsa shihja filmin “First they killed my father”.
Për çfarë do të studiojë Mishel? Ku?
Ende nuk e ka zgjedhur pasonin e saj dhe as vendin. Besoj se do të shkojë diku jashtë, por ende nuk ka një ide të qartë.
E keni pyetur ndonjëherë nëse ka të dashur? Ju flet ajo për djemtë? Ju si ndiheni?
Unë do ndihesha fare normal, si një gjë a zakonshme, por me mua nuk ka folur deri më sot për këtë gjë.
I jepni këshilla?
Pothuaje asnjëherë. Nuk është se më ka kërkuar.
Si i keni zgjedhur emrat e vajzave?
Të dy Inesi. Por unë kam qenë dakort që momentin e parë që i kam dëgjuar. Mishel vinte nga kënga e Bitëllsave që më magjepste në fëmijëri. Alis e ka emrin shumë të ngjashëm me gjyshen time.
Kujt i ngjajnë më shumë ato, juve apo bashkëshortes?
Besoj se ngjajnë më shumë nga unë.
Vajzat kanë një diferencë të konsiderueshme me njëra-tjetrën. Keni pasur një periudhë kur keni menduar të kishit një fëmijë dhe më pas ndërruat mendje?
Jo, s’kam ndërruar kurrë mendje. Kam dashur gjithnjë të kem shumë fëmijë dhe një shtëpi e mbushur me zërat e tyre më duket dhurata më e bukur e zotit. Është një shtëpi e bekuar.
Si është të jesh vetëm baba vajzash? Keni menduar të jeni, ndoshta, edhe baba i një djali?
Për mua ka qenë gjithnjë ok kjo gjë. Madje kur mësova që fëmija i dytë do të ishte vajzë u gëzova akoma më shumë.
Cila ka qenë puna juaj e parë si gazetar? Po shefi i parë?
Besoj se puna e parë ka qenë kur nisa të punoja si redaktor vullnetar në gazetën Studenti në vitin 1989. Ishte shumë eksituese dhe më magjepste ajo punë që sot do të më dukej rutinë. Ishte Arben Muka që më mori atëherë në këtë punë. Ndërkohë puna e parë në një media kombëtare ishte ajo në themelimin e gazetës RD, gazeta e parë e shtypit të lirë, në 5 Janar 1991. Aty më ftoi Preç Zogaj.
Përse vendosët të shkruani libra?
Dëshirën për të shkruajtur libra e kam pasur shumë më parë se sa të merresha me gazetari. Ka qenë dashuria ime e parë. Ndaj besoj se aty jam në botën time.
Librat tuaj janë, në një mënyrë, edhe përgjigje ndaj thirrjes që dikur ju çoi të studionit letërsi apo shprehje e ambicies për ta shkruar emrin gjithandej?
S’ka asnjë lidhje me dëshirën për të shkruajtur emrin. Sot emri shkruhet me gjëra më pak impenjative. Janë një dimension i imi, pa të cilin nuk do isha i tillë profesionalisht.
Sa jeni ndihmuar në realizimin e tyre?
Po aq sa mund të ndihmohesh në shkrimin e një libri.
Keni ndonjë libër tjetër në dorë?
Po, besoj se në Shkurt, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të kem gati një libër për Luftën e Kosovës Mars – Qershor 1999 dhe rolin e Hashim Thaçit. Besoj se do jetë një libër mjaft interesant.
Po letërsi artistike mendoni të shkruani ndonjëherë?
Unë kam shkruajtur letërsi arstistike. Libri “100 ushtarë” (Në bashkëautorësi me Ben Blushin, libri “Gjysma tjetër e botës”, Libri “Hiri i Vullkanit” dhe “Pushteti” janë letërsi e mirëfilltë.
Çfarë lexoni? Si, kur?
Së fundmi gjithnjë e më shumë libra historikë, politikë, ose të zhvillimeve shoqërore. Gjithnjë e më pak letërsi. Për fat të keq. Lexoj kurdo dhe kudo që mundem, në avion, në aeroport, në shtëpi. Po oraret më të rëndësishme të leximit janë pas mbarimit të emisionit. Nga mesanata deri rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Ka ndonjë personazh libri tek i cili e gjeni veten më shumë?
Ka personazhe të librave që kanë frymëzuar fantazinë dhe kanë ngacmuar gjendjen time emocionale. Shumë. Që fëmijë kur kam lëxuar “Përrallat e moçme shqiptare” e deri tek personazhet më modernë. Padyshim.
Keni një pasion që nuk e njohim, veç gazetarisë, librave, udhëtimeve dhe veshjes?
Besoj se veç gazetarisë, librave dhe udhëtimeve, kam edhe një pasion për mekanizmat e sofistikuar të orave të dorës. Thjeshtë një lloj kënaqësie.
Cila është marka dhe stilisti që i shkon më shumë stilit tuaj?
Ka shumë. Varet nga materiali, kombinimi, stili i momentit dhe eventi.
Po vera, një tjetër pasion për të cilin keni folur edhe në programin tuaj disa herë, çfarë ju lidh me të?
Zakonisht alkooli nuk hyn në preferencat e mia, duke përjashtuar verën. Që kur e kam provuar për herë të parë më la një shije kënaqësie që nuk e kisha gjetur, madje e kisha refuzuar tek birra, rakia apo pijet e tjera të forta. Thjeshtë ndjesia ime.
Cila është vera më e vjetër që ruani dhe ç’kujtim ju lidh me të?
Kam dhuratë një shishe verë të vitit 1968 që është më e vjetra në kantinën time. Por nuk është se unë jam koleksionist verërash, thjeshtë, tentoj të gjej prodhim të mirë, dhe të jetë sipas shijeve të mia. Shijet e verës janë po ashtu mjaft personale.
Po pjata e preferuar cila është?
Ushqimi im i preferuar mbetet byreku. Po ai tradicional, me petët e hapura vetë dhe i pjekur në furrë.
Ju gatuani vetë, cili është specialiteti?
Pothuajse kurrë. Dikur, kur jetoja vetëm po, por më pas asnjëherë. Jam një dështim i vërtetë në këtë drejtim.
Cili është vendi më i bukur në botë për ju?
Ka shumë pafund. Ka vende magjepse si Afrika apo Azia Jugore. Padyshim, Europa. Por dy qytetet që i njoh mirë dhe që mund t’i vizitoja pa u mërzitur kurrë janë Nju Jorku dhe Parisi.
Po ai që nuk do e vizitonit më kurrë?
Moska. Qytet i zymtë.
Po hoteli më i bukur ku keni qëndruar ndonjëherë?
Një lodge në Masai Mara në Kenia, në mes të savanës.
Nëse nuk do të jetonit në Shqipëri, ku do të donit të jetonit?
Nuk e kam menduar këtë gjë. Por me siguri në ndonjë vend ku do kisha mundësi të shihja detin nga dritarja e shtëpisë sime.
Cilin do konsideronit udhëtimin e ëndrrave, destinacioni?
Janë disa dhe një pjesë besoj se do t’i realizoj. Një është Machu Picu, një zonë në afërsi të Kuskos në Peru, që ka qenë qendër shumë e njohur e civilizimit Inkas; i Dyti është Tibeti, Lhasa, që po ashtu është një destinacion ëndërrash; I treti është qyteti i Baganit në Myanmar, apo Birmani siç njihet tani. Po ka edhe shumë destinacione të tjera…
Cili është vendi që keni projektuar për të udhëtuar së fundi?
Indinë. Dua të vizitoj Nju Delhin, Agrën dhe Jaipurin.
Cila është vepra e artit që ju ka lënë më shumë mbresa? Po muzeu më interesant?
Kam qenë gjithnjë i magjepsur nga pikturat e Shagal. Kur i kam parë për herë të parë kam ndjerë një afërsi të çuditshme me të. Më kujtohet po ashtu që Perseu i Celinit, skulptura e famshme që ndodhet në Piaza della Sinjoria në Firence më ka lënë shumë mbresë. Në Shqipëri shkoj herë herë të shoh “Epika e Yjeve të mëngjesit” e Edison Gjergos që tani gjendet e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Kemi parë që keni ndjekur Kombëtaren Shqiptare në disa ndeshje nëpër botë. Ju pëlqen futbolli apo e ndiqni vetëm kur luan Shqipëria?
Ka qenë një prej pasioneve të fëmijërisë dhe adoleshencës, që për hir të së vërtetës është zbehur me kalimin e kohës. I pandryshuar ka mbetur pasioni për ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Për cilën skuadër, përveç Shqipërisë, bëni tifo?
Për Gjermaninë, që kur kam qenë fëmijë.
Keni vizituar shumë shtete të botës, po Shqipërinë e keni eksploruar deri në fund?
Mund të konsiderohem nga ata që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri, por besoj se ka ende shumë shumë vende që vlejnë të vizitohen. Vjet bëra një udhëtim nga Korça në Ersekë, Leskovik, Përmet, Këlcyrë. Ishte një natyrë magjepsëse, edhe pse e panjohur për shumë nga ne.
Cili është sendi më i çmuar që zotëroni?
Besoj se sendi më i çmuar, duke futur këto edhe peshën emocionale, janë një palë butonë këmishe, që kanë qenë të stërgjyshit tim. Duhet të jenë prodhuar në Stamboll diku në fund të viteve 1800, ose në fillim të 1900. Stërgjyshi nga mamaja ja la gjyshit tim dhe nga ai kanë përfunduar tek unë. I vendos ende sot në momente të rëndësishme. Janë një onix i mrekullueshëm me 5 brilantë të vegjël dhe tejet elegantë. Por vlera ska asnjë rëndësi. Është historia e katër brezave të familjes që mbaj në mëngë në ato momente që i vendos.
Cila është dhurata më e bukur që keni marrë?
Një shishe parfumi Diesel që ishte dhurata e vajzës së madhe në udhëtimin e parë që bëri vetëm me shkollën.
Cila është blerja më e shtrenjtë që keni bërë?
Besoj se ato që konsideron çdo njeri blerjet më të shtrenjta në jetë, shtëpia, makina etj.
Cila është gjëja që ju pëlqen më shumë të blini?
Zakonisht kam një pasion për filxhanët e kafes. I zgjedh gjithnjë vetë. Por edhe setet e ngrënies.
Si ka qenë fëmijëria juaj, e lumtur, e varfër, ç’kornizë mund t’i vendosni?
Fëmijëria në përgjithësi është e lumtur. Nuk ka qenë kurrë e varfër, përkundrazi, ka qenë më e mirë se e shumë moshtarëve të mijë në atë kohë. Plus ndihesha i përkëdhelur nga kujdesi i stërgjysheve të mia që merreshin shumë me mua.
Cilat kanë qenë pasionet tuaja të adoleshencës?
Si e gjithë adoleshentëve të brezit tim, futbolli!
Jeni një njeri që bëni atë që doni?
Zakonisht po. Po ska asnjëri në botë që bën absolutisht atë që do.
Si është një ditë juaja e zakonshme kur keni emision? Po kur nuk keni?
Është fare e zakonshme dhe e programuar. Çohem në mëngjes në 09:30. Shoh lajmet shkurt, lexoj mesazhet. Vrapoj 30 minuta pastaj në 11:15 kam gjithnjë takimin e parë në qendër. Në 12:00 kam mbledhjen e mesditës me stafin. 13:00 – 13:30 merrem me emailet dhe ndonjë detyrim tjetër. Në 13:30 deri në 14:30 jam në drekë ku shumë here janë dreka punë. Deri në 17:00 konsumoj edhe 2 ose 3 takime ose shkruaj. Në 17:15 jam në shtëpi dhe rri me gocën. Në 20:00 nisem për në punë dhe në 22:00 jam live. Pastaj kthehem, eci sërish 30 minuta dhe pas mesnatës filloj lexoj. Kur nuk ka emision zakonisht dal jashtë për darkë, ose kam njerëz të ftuar në shtëpi.
Vendet tuaja në Tiranë, për një kafe, për një drekë?
Mbeten thuajse të njëjtat dhe të pandryshueshme prej vitesh. Kafe në Rogner ose Sheraton. Drekë apo darkë në Estia, Aba 21, Padam ose diku tjetër.
Çfarë trajtimesh bëni për pamjen e jashtme?
Trajtimet që kam bërë gjithnjë. Ato që janë të trajtimit shtëpiak.
E imagjinoni ndonjëherë veten ç’profil do kishit, si do ju njihnin, nëse do ishit mësues letërsie?
Unë e di që roli i mësuesit duket i parëndësishëm në një shoqëri si kjo e sotmja, por më beso që mësuesi i mirë është modeli i çdo adoleshenti që fillon të ecë vetë në jetë. Edhe imi, ka qenë një mësues matematike që e takoj ende. Ndaj besoj se nuk do kisha këtë njohje që kam, por që shumë vetë në jetë mund të më kujtonin si një model në fillimet e tyre.
Profesioni që nuk do ta bënit kurrë?
Asnjë prej atyre profesioneve që do detyrohesha të ulesha 8 orë në një tavolinë dhe të mos lëvizja prej aty.
Është cilësuar një ndër profesionet më stresuese dhe të rrezikshme për shëndetin, ju si do e cilësonit gazetarinë?
Është një ndër profesionet më të bukura në botë padyshim. Por, duhet ta duash që ta kuptosh edhe vetë se sa i bukur është.
Si është raporti midis premtimeve të mbajtura dhe atyre të pambajtura ndaj vetes dhe të tjerëve?
Absolutisht i njëjtë me gjithë njerëzit e tjerë të kësaj bote. Asgjë ndryshe.
Do t’i thyenit rregullat për diçka apo dikë që doni?
S’e di këtë gjë. Zakonisht njeriu thyhet tek fëmijët.
Arrini të kujtoni dikë që e keni urryer 10 vite më parë? A e mendoni më?
S’mbaj mend një ndjesi të tillë. Zakonisht unë s’kam emocione. Përderisa nuk konsideroj kurrë ato që thonë ose thuhen për mua, përse do ta urrej dikë. Thjeshtë e injoroj.
Ku ndryshon Blendi Fevziu nga njerëzit e tjerë?
Nuk besoj se kam asnjë ndryshim.
Cili është tundimi më i madh që përjetoni?
Ai për të ngrënë ëmbëlsira sa herë jam në dietë.
Çfarë ju frymëzon më shumë në jetë?
Fakti që sot bëj atë punë që kam ëndërruar të bëja. Është një fat i madh në jetë.
Çfarë ju bezdis më shumë te të tjerët?
Injoranca!
Cili është viti më i bukur i jetës suaj?
Sa herë e kam menduar këtë gjë, zhveshur nga vite që kanë qenë një gëzim në jetën time, si vitet e lindjes së vajzave, besoj se viti më i bukur ka qenë 1990! Nuk do ta harroj kurrë atë vit. Ishte një vit magjik, që ndryshoi dhe shënjoi thellë jetën time të mëvonshme. Ishte një vit që më bëri të besoj se ëndërrat ekzistojnë dhe shpesh ato bëhen realitet. Ishte një vit, të cilit, për arsye të zhvillimeve, unë i detyrohem gjithë jetën time.
Për cilën gjë i gjykoni më shumë njerëzit?
Për sigurinë që kanë për të folur me kompetencë për gjëra që nuk i kuptojnë.
Çfarë është një gjë nga e cila nuk do hiqnit dorë kurrë (përveç familjes)?
Pasioni për të udhëtuar dhe për të zbuluar vende të reja.
Flet ndonjëherë me veten Blendi Fevziu, në cilat rrethana?
Shumë herë. Dialogu me vetveten dhe përgjigja ndaj pikëpyëjeve dhe dilemave të brendshme është shtysa bazë e njeriut në jetë!