Bleu online në shumën 50 milionë lekë, biznesmenit i zhduken paratë
Krim kibernitik
Tiranë/Biznesmeni kreu blerje online, por është mashtruar nga kompania kineze “Shangai Elektrik”
Në kohën kur teknologjia përjeton kohën e artë dhe e cilësuar si zbulim i shekullit, ana tjetër e medaljes, ana e errët është më e rëndë se përfitimet. Mashtrimi që vjen nga blerjet online është një problem për fuqinë blerëse. Ky krim kibernitik është prezent dhe në Shqipëri, ku adresa pirate përdorin adresa e-mail-i të rreme dhe mashtrojnë dita-ditës mijëra konsumatorë. Pre e mashtrimit, me kosto të lartë, ka rënë një biznesmen nga Korça, por me banim në Tiranë.
Biznesmeni në fjalë, Ideal Agolli 68 vjeç, bashkëpronar i firmës Elia sh. p. k., ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, se ka pësuar një dëm financiar prej 50 milionë lekësh (të vjetra). I shqetësuar nga kjo situatë e rëndë, ai e ka denoncuar rastin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka pohuar se është mashtruar nga disa persona të panjohur. Mashtrimi ka ardhur nga një adresë e-mail-i e rreme.
Agolli në deklaratën e dhënë, ka pohuar se në këmbim të disa blerjeve, ai ka paguar shumën prej 10 mijë eurosh dhe 27 mijë dollarësh amerikanë. Kompania, e cila mund të jetë pirate është indentifikuar si një kompani kineze, e quajtur “Shangai Elektrik”.
Burime nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe atij kibernetik, kanë deklaruar se transferta bankare e destinuar për të paguar këtë faturë, është devijuar në mënyrë të paligjshme. Në njoftimin për shtyp, Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe ai Kundër Krimit Kibernetik, ka pohuar se pas denoncimit është nisur menjëherë hetimi për identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi online. Sipas tyre, persona të panjohur me një adresë e-mail-i fals, kanë devijuar në mënyrë të paligjshme transfertën bankare, e destinuar për të paguar një faturë mbi blerjen e disa mallrave nga kompania kineze “Shanghai CET Electric Co. LTD”. Sakaq, bëhet më dije se kompania në pronësi të 68-vjeçarit merret me import, eksport me shumicë dhe pakicë; materiale dhe pajisje industriale.
Për Agollin, kjo blerje nuk ka qenë për herë të parë, pasi ka pasur edhe herë të tjera të tilla pagesa për mallrat që blinte. Policia thotë se po heton për të identifikuar autorët, të cilët nuk dihet ende se nga ç’vend e kanë bërë ndërhyrjen.
Mashtrimi
Ideal Agolli 68 vjeç ka rënë pre e një mashtrimi online, që ai figuron si bashkëpronar i firmës “Elia sh.p.k”. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, ai ka pohuar se ka pësuar një dëm financiar prej 50 milionë lekësh (të vjetra). Denoncimi është kryer ditën e djeshme, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku 68-vjeçari ka pohuar se është mashtruar nga disa persona të panjohur, me një adresë e-mail-i të rreme. Ai ka paguar shumën prej 10 mijë eurosh dhe 27 mijë dollarësh amerikanë për blerjen e disa mallrave nga kompania kineze “Shangai Elektrik”, por transferta bankare e destinuar për të paguar këtë faturë, është devijuar në mënyrë të paligjshme.
Hetimet
Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe ai Kundër Krimit Kibernetik kanë nisur hetimin për identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi online. Sipas tyre, persona të panjohur me një adresë e-mail-i fals, kanë devijuar në mënyrë të paligjshme transfertën bankare, e destinuar për të paguar një faturë mbi blerjen e disa mallrave nga kompania kineze “Shanghai CET Electric Co. LTD”.
Fenomeni
Çfarë është krimi kibernitik?
Krimi kibernetik, sfidë për shoqërinë e sotme është një fenomen që prek jo vetëm aktivitetet e një organizmi qoftë ai shtetëror apo privat, i implikuar në sferën e biznesit apo të një aktiviteti jo fitimprurës, por mund të prekë dhe konsumatorin e thjeshtë në aktivitetin e tij të përditshëm, në sferën e tij private apo profesionale. Si çdo teknologji e re e vënë në dispozicion të një numri të madh përdoruesish, Interneti paraqet jo vetëm të mira dhe përfitime, por në të njëjtën kohë dhe një sërë problemesh, të vinë kryesisht nga llogari të rreme dhe kompani të cilësuara pirate.
KOHA JONË SONDAZH

