Bllokimi i IPARD në Shqipëri, OLAF: Të bllokohen 112 mln €! I kemi dërguar materialet për hetime të mëtejshme
Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) në raportin vjetor për vitin 2023, ka arritur në një përfundim duke zbardhur sistemin kapilar të korrupsionit me paratë e fermerëve që çuan në ndërprerjen e fondeve të BE-së për Shqipërinë.
Pezullimi i programit, një përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR u cilësua një vit më parë nga ky institucion jo një ndërprerje por një procedurë normale hetimore.
“Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë përdorimin e teknikave dhe kërkimeve shkencore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve”, thuhet në deklaratë.
Fondet IPARD, një mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural, financohej në masën 75% nga fondet e BE dhe 25% nga qeveria shqiptare u pezulluan në korrik të 2023 nga Komisioni Europian. Hetimi përfshinte praktikat e zbatuara gjatë programit IPARD II gjatë periudhës 2014-2020. Në raportin e OLAF thuhet se një sërë padrejtësish janë kryer duke filluar nga kërkesat ndaj fermerëve, konkurseve apo dhe projekteve të zhvilluara.
“Aplikantëve u kërkohej të paguanin një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre tek një kompani konsulencë lokale. Në raste të tjera kontratat janë dhënë pa konkurrencë ose përmes një konkursi të manipuluar me oferta falsë, ndërkohë që në disa projekte u gjetën çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale”, vijon deklarata.
Fondet IPARD u krijuan për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE. Por pas hetimit të IPARD II, Shqipërisë ju ngrinë fondet e IPARD III në vlerën e 112 milionë euro e cila do zbatohej gjatë periudhës 2021-2027. Ndërsa me gjithë bashkëfinancimin e qeverisë shqiptare, IPARD III përfshinte një shumë prej 146 milionë eurosh.