Bllokohen 8 makina luksoze me targa të huaja në Tiranë. Policia ndëshkon qindra shoferë
Policia Rrugore e Tiranës ka goditur 4 raste të tentativës për mitdhënie nga ana e drejtuesve të automjeteve, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet e konstatuara.
Gjatë një aksioni të 24 orëve të fundit, policia ka bllokuar edhe 8 automjete luksi me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar strukturave të tjera policore, për verifikime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës, godet 4 raste të tentativës për mitdhënie nga ana e drejtuesve të automjeteve, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet e konstatuara.
Brenda javës shkon në 9 numri i rasteve të goditura nga Policia Rrugore e Tiranës, për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin D. F., 35 vjeç, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi është kapur duke drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur, dhe për të shmangur masën administrative, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash.
Po gjatë kontrolleve parandaluese, përgjatë 24 orëve të fundit janë kapur në flagrancë dhe proceduar penalisht shtetasit E. S., 19 vjeç, H. Ll., 60 vjeç dhe N. K., 39 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi shtetasi E. S., u konstatua nga shërbimet e Policisë pa rrip sigurimi, ndërsa H. Ll., dhe N. K., janë kapur duke përdorur aparatet celularë gjatë drejtimit të automjeteve, dhe për mosvendosjen e masës administrative, këta drejtues mjetesh, i kanë ofruar para punonjësve të Policisë.
Ndërkohë vijojnë kontrollet intensive për bllokimin e automjeteve që qarkullojnë me targa të huaja që u ka përfunduar afati apo që nuk i përkasin të njëtit mjet, dhe në këtë kuadër, përgjatë 48 orëve të fundit, janë bllokuar 39 palë targa të huaja dhe shqiptare.
Janë bllokuar 8 automjete luksi me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar strukturave të tjera policore, për verifikime të mëtejshme.
Gjithashtu vijojnë kontrollet e dedikuara për evidentimin, kapjen dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që kryejnë parakalime të gabuara, gara shpejtësie e shpejtësi mbi normat e lejuara, dhe në këtë kuadër, përgjatë 48 orëve të fundit janë vendosur 105 masa administrative për parakalime të gabuara, në rrugët urbane e interubane që lidhen me kryeqytetin, janë ndëshkuar 12 drejtues mjetesh për gara shpejtësie, janë pezulluar 46 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe janë vendosur 234 masa po për shpejtësi tej normave të lejura, por pa sanksionin plotësues, atë të pezullimit të lejes së drejtimit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.