Blogerët mbjellin pemë për 100-vjetorin e Tiranës, Veliaj: Mirënjohës që promovoni vendin

Nismës për të mbledhur një pemë për 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet i janë bashkuar edhe disa nga emrat e blogerëve të njohur shqiptarë. Kryebashkiaku Veliaj tha se misioni i çdo qytetari është që të flasë pozitivisht për vendin e tij, ndërsa u shprehu mirënjohjen blogerëve të njohur për promovimin që i bëjnë çdo ditë Tiranës dhe Shqipërisë.

“Nëse nuk flasim mirë, nëse nuk ndihemi sadopak krenarë, kush do e bëjë këtë punë? Si ka mundësi që disa të huaj, vetëm se kanë prirjen pozitive, mundohen të gjejnë më të mirën tek gjithçka? Patjetër, Tirana ka shumë sfida, Shqipëria, Durrësi, ka shumë sfida. Por, nëse nuk ndjejmë një sens përkatësie, aty ku kemi rrënjët, aty ku japim angazhimin tonë, atëherë nuk munden të huajt ta bëjnë më mirë se ne këtë punë. Sot ju jam shumë mirënjohës për faktin se çdo ditë promovoni Shqipërinë e mirë, pozitive, me energji, që do të ecë përpara, të bëjë gjëra për së mbari”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se pavarësisht skeptikëve dhe cinikëve, 5 vite më parë, falë punës, qyteti është shumë herë më i mirë. “Unë e di, jo vetëm në Shqipëri, por sporti i cinizmit, skepticizmit, dyshimit, është një sport ndërkombëtar. Ky sport mundet vetëm me një energji pozitive dhe me një sens optimizmi që çdo ditë mund t’i bëjmë gjërat më mirë. Kur filluam punën këtu para 5 vitesh, kishin ngelur vetëm këto pemët e mëdha shekullore dhe çdo gjë ishte djerrë. Në fakt, ishte një zig-zag nëpër cungje. Sot është një zig-zag, por nëpër pemë. Nëse punojmë mirë, qoftë për të rikthyer një pjesë të traditës apo për të lënë një pajë shumë herë më të shëndetshme, siç është Amfiteatri, që edhe kur mos të jemi duke u marrë me këto punë, do i ngelet qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj nënvizoi se Tirana është një qytet i destinuar të rritet, por sfida është menaxhimi për të pasur një qytet të qëndrueshëm për të gjithë. “Nëse tipikisht jemi rritur 25-27 mijë në vit, besoj që pas tërmetit do të rritemi ndoshta edhe me ritme më të mëdha. Do kalojmë mbi 30 mijë. Zgjidhja nuk është histeria: Na mbyti betoni. Do ta menaxhojmë këtë sfidë, pa histeri, duke thënë: Ej, patjetër Tirana do të rritet, por a mund të rritet me ndërtesa të qëndrueshme me zero karbon ose ambiente më të gjelbëruara. Unë besoj se nuk është “ose, ose” është ”edhe, edhe”. Edhe do të rritemi, por edhe mund të jemi më të qëndrueshëm si qytet”, theksoi Veliaj. Disa prej blogerëve shqiptarë që zgjodhën t’i bashkohen kryebashkiakut Erion Veliaj, me qëllimin për ta promovuar edhe më shumë nismën për gjelbërimin e qytetit, ishin Estela Ujka, Niko Komani, Eraldo Rexho, Sara Kolami, Odeta Banushi, Sarah Berisha Franceska Çoniku, Magalina Saqellari, Linda Dido etj.

SHKARKO APP