Blushi në Kuvend: Meta po trajtohet në mënyrë çnjerëzore në izolim
Deputeti i PL, Tedi Blushi në interpelancën e kërkuar me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kërkuar sqarime për moszbatimin e raportit të Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e ish-presidentit, Ilir Meta gjatë qëndrimit në paraburgim.
“Ju kam thirrur për të dhënë llogari për një krim shtetëror të kryer me vetëdije dhe me qëllim të qartë politik, atë të degradimit sistematik të sistemit penitenciar nga një institucion rehabilitimi nën përgjegjësinë tuaj; një makineri çnjerëzore, dhunë, frikë e terror institucional në një sistem të kalbur. Viktima nuk janë vetëm të paraburgosurit dhe të burgosurit, të trajtuar në kushte poshtëruese dhe kafshërore, por edhe vetë gardianët, që i keni shndërruar në skllevër të një administrate kriminale që ju e keni ndërtuar e ushqyer.
Nga njëra anë, ju shpallni amnistinë si mjet për të shfryrë mbipopullimin e burgjeve, ndërsa nga ana tjetër minoni burgimin për parkimin “2”, duke goditur qytetarët e pambrojtur. E gjitha kjo ndodh në një realitet absurd. Falë jush, Shqipëria mban një rekord të turpshëm; jemi i vetmi anëtar i NATO-s me të burgosur politik.
Prej tre muajsh, Avokati i Popullit ju ka dhënë tre rekomandime të detyrueshme për zbatim, për t’i dhënë fund trajtimit kriminal dhe çnjerëzor ndaj Metës, të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze dhe mbi 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve.
Kufizimi i takimeve në vetëm katër në muaj përbën shkelje të Kushtetutës. Ndalimi i takimeve me deputetë dhe kufizimi i telefonatave është antinjerëzor. Kam mbi një vit që nuk komunikoj dot me Metën”, tha Blushi.
KOHA JONË SONDAZH

