Bode: Jo amnisti fiskale për të mbushur gropën e buxhetit të shtetit
Në një intervistë për ”Ora News”, ish-Ministri i Financave dhe anëtari i Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë Ridvan Bode, tha se amnistia fiskale e propozuar nga qeveria duhet të shihet si nevojë shoqërore dhe jo vetëm si nevojë ekonomike.
Sipas tij, nëse mendohet se përmes amnistisë fiskale do të mund të mbushen të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, atëherë kjo është një zgjidhje e gabuar.
Ridvan Bode: ”Amnistitë fiskale ose amnistimi në tërësi i aspekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me shkelje ligjore apo vepra penale, ka sens në kuptimin kur ndihet si nevojë shoqërore, dhe jo kur ndihet si nevojë ekonomike. Nëse ne mendojmë që përmes një amnistie fiskale do të mund të mbushim të ardhurat e mungura në buxhetin e shtetit, mendoj se është zgjidhje e gabuar dhe efektet e saj nuk do jenë të duhurat. Në kushtet aktuale, bëhet fjalë jo vetëm për amnisti fiskale sot, por edhe për amnistinë e veprave penale, është shumë më e gjerë.”
”Pra, amnistojmë jo vetëm produktet e krimit por edhe veprën e krimit. Sigurisht që shoqëria ka nevojë për një amnisti, ka nevojë për një falje. Nëse ndjehet nga pikëpamja shoqërore për një kohezion social më të madh, nevoja e një amnistimi penal dhe fiskal është e logjikshme. Nëse mendohet që thjesht të marrim disa para dhe të bëhet një veprim i njëanshëm pa një konsensus, mendoj që efektet dhe pasojat nuk do jenë ato që do dëshironim.”