Bonuse bebesh për lindjet e reja, ja sa do të paguajë shteti nga 1 janari

Këshilli i Ministrave ka vendosur gjithashtu në mbledhjen e djeshme se sa do të jetë në vijim ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij.

Sipas VKM-së përkatëse, është vendosur që shpërblimi për lindje fëmije do të jetë në masën 40.000 lekë për lindjen e fëmijës së parë; 80.000 lekë për lindjen e fëmijës së dytë dhe 120.000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim.

Ndërkohë, për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80.000 lekë për secilin fëmijë. Kurse, për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120.000 lekë për secilin fëmijë. Ndihmën e menjëhershme financiare do ta përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

Swiss Digital Desktop Reklama

Procedurat

Swiss Digital Mobile Reklama

Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, do të kryejë veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010. Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi). Procedura e verifikimit on-line për identifikimin e nënës së fëmijës së lindur dhe statusit të saj, si dhe mënyra e përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Brendshëm.

Pagesat

Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) i jepet nënës menjëherë pas lëshimit të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”, në përfundim të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Masa e ndihmës së menjëhershme financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të nënës.

Ai do të jetë i pagueshëm në këtë formë: 35 mijë lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”; 75 mijë lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”; 115 mijë lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”. Diferenca e mbetur prej 5 mijë lekësh përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Në rast se strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në 1 janar 2019.

Masa e pagesës së shpërblimit bonus nga 1 janari 2019

Për lindjen e fëmijës së parë-40.000 lekë
Për lindjen e fëmijës së dytë-80.000 lekë
Për lindjen e fëmijës së tretë-120.000 lekë
Për lindjen e çdo fëmije pas të tretit-120.000 lekë
Për lindjen e çdo binjaku-80.000 lekë
Për lindjen e çdo trinjaku-120.000 lekë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?