Bonusi i bebes, Manastirliu: 40,181 përfituan nga politika sociale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar maternitetin ”Koço Gliozheni” ku deklaroi se 3000 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes për vitin 2020, ndërsa nga fillimi i programit një vit më parë janë më shumë se 40 mijë përfitues. ”Orioni është fëmija i 3000 i ardhur në jetë në 2020, që ka përfituar bonusin e bebes për këtë vit, ndërsa shumë se 40 mijë fëmijë kanë përfituar nga politika sociale e qeverisë e cila mbështet familjet”. Politika më e re sociale e qeverisë e bonusit të bebes u jep familjeve 40,000 leké për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 për fëmijën e tretë. 26 534 fëmijë kanë lindur në spitale publike, 2590 në spitale private dhe 11,057 jashtë vendit. Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekin e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.

Shpërblimi financiar që po aplikon qeveria nga janari i vitit të shkuar për çdo bebe që vjen në jetë, duket se nuk po shfaq efektet e pritshme në rritjen e popullisë. Nga tetori deri në dhjetor të vitit 2019 në Shqipëri sipas Institutit të Statisikave, kanë ardhur në jetë 7 mije e 910 bebe, 8.1% më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Foshnjet e regjistruara janë më pak se në tremujorin e tretë të 2018-ës me 8 mijë e 213 foshnja, tremujori i tretë i 2017-ës me 8 mijë e 539 dhe tremujori i tretë i 2016 me 9 mijë e 86 bebe të ardhura në jetë. Nga tetori në dhjetor në njëmbëdhjetë qarqe të vendit është shënuar rritje e numrit të lindjeve. Pavarësisht kësaj përgjatë të gjithë 2019 shtesa natyrore e popullisë krahasuar me 2018 ka rënë me 7.1% . Instituti i Statistikave vlerëson se në Shqipëri lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet dhe koeficienti bruto i shtesës natyrore është pozitiv ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian. Ky koeficient në vendin tonë përllogaritet 2,5 ndërkohë që në Serbi është -5.4 ndërsa në Kosovë është 10.3.

Materniteti ”Koço Gliozheni” do të pajiset me katër pajisje të reja të teknologjisë bashkëkohore, të cilat do të rrisin në një nivel më të lartë cilësinë e shërbimit për nënën dhe fëmijën. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë japoneze, u shpreh se do të vijojnë investimet e rëndësishëm në infrastrukturën moderne në maternitete. ”Vijojmë bashkëpunimin e frytshëm me qeverinë japoneze, me fokus investimet për nënën dhe fëmijën. Dy maternitetet e Tiranës do të përfitojnë nga kjo marrëveshje aparatura diagnostikuese të teknologjisë së lartë”.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Makoto Ito konfirmoi vijimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare për investime që kanë në fokus shëndetin e nënës dhe fëmijës. Materniteti ”Koço Gliozheni” do të pajiset me aparat ekografie obstetrik-gjinekologjike, dy respitatorë neonatal dhe kardiotokograf, ndërsa në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë’, do të vihet në shërbim Laparaskopia 3d, një aparaturë e re si për sistemi publik ashtu edhe për atë jopublik. Gjatë takimit me mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Ministrja Manastirliu u shpreh se investimet dhe mbështetja e qeverisë do të vijojë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në maternitete dhe pediatri. ”Po investojmë në katër maternitete, në Lezhë, Berat, Kukës dhe maternitetin Mbretëresha Geraldinë si dhe në pediatrinë e Tiranës, Durrësit dhe Fierit, me synim të rrisim cilësinë e shërbimit për fëmijët”.

SHKARKO APP