Bonusi i bebes, ministrja Koçiu: Fokusojmë mbështetjen tek familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë fjalës në seancën plenare në Kuvend, tha se nga 36 % e përfituesve të bonusit të bebes deri tani, mbi 67 mijë familje janë nga prindër që jetojnë jashtë vendit. ”Propozimi ynë është që të kufizohet përfitimi i bonusit vetëm nga familjet rezidente në Shqipëri, një reformë e tillë do të na mundësojë që ta fokusojmë mbështetjen tek familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri”,-tha Koçiu. Synimi ynë, vijoi ajo, është që këtë skemë ta përforcojmë dhe përmirësojmë.

“Prandaj bazuar në një analizë të kryer mbi përfitueshmërinë e programit mbështetja e familjeve me fëmijë të porsalindur dhe vlerësimet e kryera nga grupet e punës dhe ekspertë të MSHMS dhe Shërbimit Social Shtetëror konstatohet se fëmijët e lindur nga prindër shqiptarë jashtë vendit në shumicën dërrmuese të rasteve përfitojnë pagesa të ngjashme edhe sipas legjislacioneve në vendet ku ata punojnë e jetojnë duke përfituar kështu pagesa apo shpëblime të dyfishta”, tha Koçiu.

Duke e cilësuar bonusin e bebes si një nga politikat më të suksesshme të kësaj qeverie, Koçiu u shpreh se më herët kjo politikë u propozua si një nismë e qeverisë që synonte hartimin e një programi të ri kombëtar, i cili ofron mbështetje financiare për të porsalindurit dhe familjet e tyre pavarësisht statusit social apo ekonomik të tyre.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi prej datës 1 janar të vitit 2019. Sipas ligjit mbështeten familjet shqiptare mbështeten në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; në masën 80 000 lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe kështu me radhë të foshnjave të tjera në vijim. Ky program për 5 vitet e fundit ka ofruar mbështetje për pothuajse 200 mijë familje, që kanë sjellë në jetë familjet e tyre”, theksoi Koçiu.

Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.

SHKARKO APP