Bonusi i qirasë/ Voda: 50 milionë lekë për bashkinë Durrës
Qeveria ka lëvruar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit 270 milion lekë të reja për pagesën e strehimit në strukturat hoteliere të banorëve, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, pagesë kjo e llogaritur për akomodim dhe ushqim. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha për ”Agjencinë Telegrafike Shqiptare”, se qeveria ka arritur të përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, duke zgjidhur në afatshkurtër dhe afatmesëm akomodimin e qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti.
”Në baze të kërkesave të bashkive për të akomoduar për një periudhë më afatgjatë qytetarët e tyre, nëpërmjet shpërndarjes se bonusit të strehimit janë akorduar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit 50 milionë lekë vetëm për këtë vit për bashkinë e Durrësit, 18.5 milion lekë për bashkinë e Vorës dhe 3.9 milion lekë për Kavajën dhe 1.7 milion lekë për bashkinë e Kamzës”. Voda informoi se për vitin e ardhshëm parashikohet të ketë një fond në shumën 20 miliardë lekë të reja që do të shkojnë kryesisht për rindërtimin e objekteve.
”Vitin që vjen qeveria do të miratojë një fond edhe më të madh për të përballuar shpenzimet që rrjedhin nga zhdëmtimi që do t’u bëhet qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Parashikohet që për vitin 2020 të ketë një fond të tillë në shumën 20 miliardë lekë që do të shkojnë kryesisht për rindërtimin e objekteve totalisht të shkatërruara si dhe për mbulimin e shpenzimeve të tjera të nevojshme si: rikonstruksion, riparime apo bonus qiraje për vitin në vazhdim. Nga kjo shumë 13 miliardë lekë do të shkojnë direkt nga buxheti i shtetit tek ky fond dhe 7 miliardë lekë nga donacionet”.