BOOM: Nis vaksinimi kundër gripit, 81-vjeçarit i duhet të presë pasi nuk është i sëmurë nga mushkëritë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me ISHP njoftoi nisjen e vaksinimit kundër gripit, fillimisht për grupet e riskuara e më pas për popullatën.
BOOM udhëtoi në Laç. Lazër Pjetri ankohet se nuk e ka bërë vaksinën e gripit. Edhe pse 81- vjeç, i sëmurë me tension, ka ditë që shkon të interesohet te mjeku, por ende nuk ka mundur ta bëjë.
Ai shprehet se dëgjoi në televizor Ministren e Shëndetësisë dhe menjëherë të nesërmen shkoi të interesohet. Ndërkohë shumë shokë të tij e kanë bërë vaksinën.
“Shkova të bëj vaksinën që me 1 tetor dhe më thanë nuk ka. Edhe bashkëshortja çdo vit e ka bërë, sivjet thonë nuk i takon. Është 76 vjeçe. Kam 16 ditë që shkoj dhe më thonë nuk ka. Gjeta ortakun tim duke dalë dhe më tha e bëra bashkë me gruan. Unë jam me tension. Mjekja më ka thënë që nuk kanë ardhur, më thonë të marrim telefon. Shoh njerëz që e bëjnë dhe mua jo”.
BOOM shkoi të interesohet në Qëndrën Shëndetësore të zotit Pjetri. Fillimisht infermierja thotë se kanë ardhur vetëm 10 vaksina dhe i kanë bërë pacientët me sëmundje mushkërie.
“Kanë filluar me ata që kanë probleme me mushkëritë, me astmë dhe spokë. Pataj do të fillojnë të tjerët. Kanë ardhur 10 doza vaksine.”
Drejtoresha e Qendrës sqaroi se kanë ardhur 250 doza për stafin, ku disa prej tyre kanë refuzuar t’i bëjnë vaksinat. Pikërisht këto doza u janë bërë të sëmurëve me spokë. Edhe mjeku i familjes së pensionistit konfirmoi se kishte vetëm 10 doza vaksine në dispozicion.
“Kanë ardhur 250 doza të personelit, për shkollat dhe policinë. 10 që mbetën ua dhamë atyre me spokë dhe astmë. Ishin doza tonat dhe ne nuk i bëmë.”
BOOM u interesua në Drejtorinë e Higjienës, ku u komunikua se për Kurbinin kanë qenë 1000 doza për stafin mjekësor, mësuesit dhe policët dhe pak për popullatën.
Ndërkohë pritet shumë shpejt kontigjenti tjetër i vaksinave.
Lazër Pjetri falenderoi emisionin BOOM për interesimin dhe u shpreh se është 81 vjeç, dhe vaksina e kishte të domosdoshme.
“Faleminderit për mundimin që bëtë, e bëtë tuajën por nuk kam shpresë që do ta bëj vaksinën.”