Borchardt: Zgjedhorja të mbyllet më 31 maj, dialogu për sistemin të vijojë

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt ka dalë me një deklaratë publike drejtuar palëve politike para takimit të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore.

Ai përshendet vendimin e palëve për tu ulur në tryezë për të çuar përpara reformën. Borchardt thekson se OSBE po ndjek përpjekjet për kompromis në çëshjtet e evidentuara si problematike ndër vite me zgjedhjet ndërkohë që shton se kjo reformë nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.

Përgëzoj partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për reformën zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme. Njëkohësisht, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.”- thuhet në deklaratën e ambasadorit të OSBE.

Borchardt ka përmendur gjithashtu 31 majin si datën ideale të përmbylljes së reformës. Sa i përket debatit për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe votimin elektronik ai thotë se OSBE do të mbështesë në vijim këto nisma por duket se ato nuk do të jenë pjesë e ndryshimeve që do të pësojë Kodi Zgjedhor në tryezën e përbashkët të palëve politike.

Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor.”- përfundon deklarata e Borchardt.

SHKARKO APP