Bordi i Karburanteve drejt shkrirjes, fiksuan çmimet për një vit me radhë

Më shumë se një vit pas krijimit të tij, qeveria duket se ka vendosur më në fund të shfuqizojë bordin e karburanteve. Mësohet se Këshilli i Ministrave ka përgatitur projektvendimin për shfuqizimin përfundimtar të Bordit të Karburanteve.

Burime nga brenda qeverisë thanë se drafti është në sistemin e brendshëm të e-akteve dhe pas procedurës standard pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

Bordi i Karburanteve u krijua në mars të vitit të kaluar, me justifikimin për të ndalur spekullimin në tregun e naftës. Që nga ajo kohë, çmimet e karburanteve në vend në të gjitha hallkat e tregut nga shumica deri tek pakica janë caktuar me vendim të bordit.

Por krijimi i bordit shkaktoi kundërshtime të ashpra, jo vetëm politike, por edhe nga ekspertët. Opozita ka akuzuar publikisht qeverinë se e përdori Bordin për të mbytur konkurrencën në treg dhe për të pasuruar oligarkët e naftës.

Për këtë arsye, Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa të ndryshme për të shfuqizuar Bordin e Ushqimeve dhe atë të Karburanteve. Pas kërkesës së PD, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Bordin e Ushqimeve si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Por në padinë e dytë, atë për Bordin e Karburanteve bëri një interpretim tjetër duke mos e shfuqizuar Bordin, por vetem një pikë të vendimit të qeverisë për ngritjen e tij. Vendimi i çuditshëm i GJK ia la topin qeverisë për të ndryshuar Aktin Normativ për shfuqizimin e Bordit. Dhe gati një muaj e gjysmë pas këtij vendimi, qeveria duket se ka vendosur më në fund që ta shkrijë përfundimisht Bordin e Karburanteve duke rikthyer tregun e lirë, pas më shumë se 1 viti.

SHKARKO APP