Borëpastrueset e Bashkisë së Tiranës hapin rrugët rurale, Veliaj apel qytetarëve
Pavarësisht intensitetit të reshjeve të borës në kryeqytet, të gjitha rrugët janë të kalueshme për automjetet. Siç mund të shihni edhe nga këto foto, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha mjetet për mbajtjen hapur të rrugëve, ndërkohë që janë marrë masat edhe për strehimin e të gjithë atyre që në këto ditë të ftohta dimri nuk kanë një strehë. “Në zonat malore borëpastrueset e Bashkisë së Tiranës po hapin rrugët rurale, ndërkohë në qytet është hapur qendra e emergjencave në Kombinat, për këdo që e ka zënë bora jashtë, ose s’ka mundur të kthehet nga rrethet e tjera! Ndihmoni kë të mundeni, pa panik dhe duke njoftuar 112”, shkruan Erion Veliaj në Facebook.
Tashmë, është ngritur magazina me fondin e ushqimeve dhe veshjeve për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Tiranës në raste emergjencash.
Një vit më parë kur u shënua edhe dimri më i ftohtë i dekadave të fundit, Bashkia e Tiranës strehoi në qendrat e saj sociale 200 persona në situatë rruge.
KOHA JONË SONDAZH

