Josep Borrell: Situata në Ballkanin Perëndimor nuk është e mirë
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor nuk është e mirë.
Ai i bëri këto komente para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët do të diskutojnë mes tjerash gjendjen në Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në zhvillimet e fundit në Bosnjë e Hercegovinë dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Zoti Borrell tha se në Bosnjë “ka tendenca që dëmtojnë unitetin e vendit, zhvillimin dhe rrugën e tij evropiane”.
Bosnja ndodhet në një periudhë tensionesh të nxitura nga veprimet udhëheqësit të serbëve, Milorad Dodik, i cili shpreh hapur synimet për ndarjen e vendit.
Kosova dhe Serbia kanë ngecur në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane.
Komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se procesi i zgjerimit është “mjeti më i fuqishëm” i Bashkimit Evropian.
“Pas zgjedhjeve në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, shpresojmë të shohim përparim të shpejtë në terren”, tha ai, duke shfaqur shpresën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.
Hapja e negociatave është bllokuar nga Bullgaria e cila ka ngritur kundërshti lidhur me gjuhën dhe trashëgiminë historike të Maqedonisë së Veriut.
Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë./VOA/