Borxhet e bashkive dhe ministrive, kryesojnë Balluku me 1.9 mld lekë dhe Veliaj me 761 mln lekë
Gjatë vitit 2020 institucionet kanë rritur detyrimet e prapambetura si për faturat e papaguara, edhe për pagat që punonjësit e shkarkuar i kanë fituar në gjyq. Stoku i akumuluar raportohet në rritje edhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me në krye Bashkinë e Tiranës.
Fatura e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet publike vazhdon të jetë e lartë, ndikuar nga disa faktorë mes të cilëve dhe largimet e paligjshme nga puna.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në fund të vitit 2020 stoku arriti në vlerën e 23.8 miliardë lekëve, 6.9 prej të cilave i përkasin vetëm vitit që lamë pas.
Më shumë se 50% e shumës i atribuohet pagesave të vendimeve gjyqësore për të larguarit padrejtësisht nga puna në administratën shtetërore duke kapur vlerën e 3.5 miliard lekëve.
Në krye të listës me borxhin më të madh qëndron Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 2 miliardë lekë, ndjekur më ps nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë me 1.9 miliardë.
Nga raporti rezulton se vetëm për shkarkimet e padrejta kjo ministri duhet të paguajë rreth 1.4 miliardë lekë.
Por situata paraqitet problematike edhe në njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ministria e Financave raporton se stoku i borxhit për 61 bashkitë në vend gjatë vitit 2020 arriti në 7 miliardë lekë.
Bashkia e Tiranës mban vendin e parë me një total detyrimesh prej 761 milionë lekësh, ndjekur më pas nga Kavaja me 727 dhe Vora me 702.
Për largimet e padrejta nga puna, bashkitë duhet të paguajnë më shumë se 814 milionë lekë.
Të dytat në radhë për nga pesha ndaj totalit renditen detyrimet e papaguara për investime, si nga ana e institucioneve qendrore, ashtu dhe nga bashkitë.