Bosh tendat e vaksinimit në Lezhë e Fier
Tendat e vaksinimit në Lezhë ishin të hënën bosh.
Asnjë pjesëtar i stafit të regjistrimit dhe vaksinimit nuk ishte i pranishëm.
Qytetarët ishin lajmëruar se do të vaksinoheshin, por janë detyruar të kthehen të zhgënjyer në shtëpitë e tyre.
“E pyeta, nuk mund ta bëjmë sot, ka një problem do vijmë ta bëjmë nesër,” thotë një qytetare.
Arsyeja e ndërprerjes së këtij procesi nuk dihet.
E njëjta situatë ishte edhe në Fier.
Qendrat e vaksinimit ishin të boshatisura, që nga e premtja, ndërsa qytetarët prej 3 ditësh nuk kanë marrë dozat e nevojshme.
“Problemi është se nuk ka vaksina, po mirë që s’ka vaksina, por sipas rregullit një infermiere, a një doktoreshë, a një përgjegjëse se s’di çfarë të them duhet të jetë aty, të na sqarojë. Faktikisht unë kam 3 ditë,” thotë qytetarja.
“Po presim pak kemi, po hajt se do vijnë,” shprehet një tjetër.
“Në orën 07:10 erdha unë këtu, ndenja deri në orën 09:00,” thotë qytetari.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duket sikur nuk është në dijeni të situatës, pasi nga Elbasani ajo tha se në të gjithë vendin po vijon vaksinimi intensiv.
“Vijon me intensitet të lartë vaksinimi në të gjithë vendin, pra nuk do të ketë asnjë lloj vonese edhe në shpërndarjen e vaksinave,” tha Manastirliu.
Elbasani të hënën u përball me radhë të gjata të moshuarish në qendrat e posaçme. Ndërkohë, sipas raportimeve zyrtare, bëhet e ditur se deri më tani janë vaksinuar 260 mijë persona në të gjithë vendin. /Ora News