Botohet në frëngjisht libri i Ambasadorit shqiptar Arben Cici “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934
Ambasadori Arben Cici boton në frëngjisht librin e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934 ( Les relations entre l’Albanie et l’Italie de 1920 à 1934). Shtëpia botuese “GreenTech” sjell në një frëngjishte të përsosur analizën e një prej periudhave më tërheqëse, më intriguese dhe më intensive midis dy Luftërave Botërore, në marrëdhëniet mes dy vendeve në anët e kundërta të Adriatikut.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Elisabeth Barsacq prezantoi këtë botim gjatë një ceremonie të organizuar në rezidencën e saj në Tiranë, në prani të disa personaliteteve të shquara frëngjisht-folëse shqiptare, si dhe në prani të Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Vicenzo Del Monaco.
Shkrimtarët e njohur dhe të përkthyer në frëngjisht, Fatos Kongoli dhe Besnik Mustafaj morën pjesë në ceremoni dhe vlerësuan këtë vepër të veçantë për periudhën e përzgjedhur, trajtimin historik e realist dhe analizën shkencore të ngjarjeve, fakteve, çështjeve, problemeve, veçorive dhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në vitet 1920-1934.
Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë, “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në kontekstin evropian në vitet 1920-1926” trajtohen çështja e stabilitetit politik të Shqipërisë pas pranimit të saj në Lidhjen e Kombeve dhe përpjekjet e Italisë për interesat e saj strategjike, politike dhe ekonomike në Adriatik dhe Shqipëri në vitet 1920-1924, të lidhura ngushtë me rivalitetin italo-jugosllav, veçanërisht në vitet 1925-1926, në trojet shqiptare.
Kapitulli i tretë dhe i fundit i kësaj vepre i quajtur “Konflikti italo-shqiptar në vitet 1928-1934” hedh dritë mbi rolin e Italisë në krijimin e monarkisë “Mbreti i Shqiptarëve” në Shqipëri në vitin 1928 dhe mosmarrëveshjet në rritje italo-shqiptare deri në vitin 1934, të cilat shënojnë edhe acarimin, përkeqësimin dhe krizën më të madhe të marrëdhënieve dypalëshe përpara pushtimit të 7 prillit 1939.
Libri “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934” në gjuhën frënge me autor historianin dhe Ambasadorin shqiptar me përvojë Arben Cici sjell, një kontribut me shumë vlera historiko-shkencore dhe diplomatiko-politike në studimin e historisë së Shqipërisë për periudhën midis dy luftërave botërore.
Përvoja e gjatë diplomatike e Ambasadorit Cici dhe aktiviteti i tij akademik në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, harmonizohen natyrshëm, për të sjellë një vepër cilësisht të veçantë jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe për publikun e huaj, italian, francez, britanik, etj.
Studimi analizon një nga periudhat më të rëndë¬sishme të marrëdhënieve midis dy shteteve dhe i trajton ato të lidhura ngushtësisht me zhvillimet gjeopolitike dhe gjeostrat¬egjike të kohës duke hedhur dritë mbi fenomenet dhe ngjarjet e veçanta ballkanike, të cilat ndikonin ose ndikoheshin nga ecuria e marrëdhënieve italo-shqiptaro-jugosllave dhe aleatëve të tyre të afërt dhe të largët në funksion të in¬teresave të tyre.
Analiza e kompleksitetit të raporteve shqiptaro-ital¬iane të kësaj periudhe jep fakte mbi raportet italo-jugosllave brenda rivalitetit për të sunduar në Shqipëri, shpesh nëpër¬mjet kompromiseve midis tyre, ose nëpërmjet rivalitetit ose antagonizmit të shfaqur haptazi, mbi politikën, synimet dhe rrugën e arritjes së tyre, gjithnjë në kurriz të Shqipërisë.
Strategjia e politikës së jashtme të Italisë së pas Luftës së Parë Botërore, por sidomos ajo e viteve të fashizmit, e mbështetur nga të gjitha strukturat e saj të brendshme (politike, ushtarake dhe financiare), në vazhdimësi e bazuar në parimin e saj kryesor të shtrirjes së hegjemonisë italiane në Ballkan dhe me gjerë, përdori të gjithë elementët tak¬tiko-strategjikë të saj në funksion të realizimit të qëllimit. Gjatë kësaj periudhe, në raportet e saj me Shqipërinë poli¬tika e jashtme e Romës në funksion të qëllimeve të mo¬menteve dhe të situatave të krijuara jo vetëm dypalëshe, por edhe rajonale dhe evropiane: nga kundërshtimi i hapur ndaj pavarësisë së Shqipërisë deri në politikën e saj protek¬sioniste, të pasuar me shndërrimin e saj në një trampolinë të sigurt për shtrirjen e afërt politiko-ushtarake të fashizmit drejt Ballkanit.
Marrëdhëniet italo-shqiptare të të gjitha fushave që përfshihen në këtë studim, karakterizohen nga kriza dhe lulëzime, acarime dhe qetësi, ulje dhe ngritje, antagonizma dhe marrëveshje.
Gjatë këtij studimi jo vetëm pasqyrohen, por edhe analizohen në mënyrë objektive, brenda kompleksitetit të tyre, procese të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumë¬palëshe, të lidhura me ecurinë e zhvillimeve të brendshme në Shqipëri dhe Itali.
Publiku i veçantë-studentët, historianët, studiuesit, profesorët, akademikët, diplomatët, politikanët frëngjisht-folës dhe jo vetëm- ka tashmë në dorë një vepër ku autori mban një qëndrim objektiv ndaj zhvillimeve historike, politike, ekonomike, ushtarake, kulturore që ndikuan në marrëdhëniet shqiptaro–italiane të viteve 1920-1934, marrëdhënie këto të cilat përcaktuan fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në vitet e vështira të pushtimit, gjatë Luftës së Dytë Botërore por edhe më vonë.
Ky libër në frëngjisht është i veçantë si për burimet e pasura primare arkivore shqiptare dhe të huaja ashtu edhe për burimet e shumta sekondare nga historiografia shqiptare dhe e huaj. Autori ka arritur të shfrytëzojë gjithashtu gjerësisht dhe shtypin shqiptar e të huaj të periudhës që merr në studim.
Kjo monografi është një burim i rëndësishëm reference për këdo që do të marrë përsipër të shkruajë për historinë e Shqipërisë midis dy Luftërave Botërore.
Ky libër i domosdoshëm, i shkruar me elegancë e profesionalizëm, vjen për lexuesin frëngjisht-folës si një histori e shkruar ashtu siç është…