Braktisje e kaos në Kombinat, banorët ankesa për bonuset
Lagjja e Kombinatit në Tiranë është ende e tronditur një muaj pas tërmetit. Banorët kanë probleme me bonuset e shtetit dhe rrezikojnë jetën në pallatet e shpallur të pabanueshëm. Pallate të dëmtuar ka shumë, flitet për 24 të tillë, me qindra familje e mijëra banorë të larguar. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë bonusin për qiranë, dhe janë në pritje për zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre, shembje apo jo e pallateve, ndërtim apo jo të banesave të reja. Edhe pse kanë kaluar 30 ditë nga goditja e natyrës, ende ka njerëz që marrin orendi për t’i zhvendosur diku tjetër.
Sipas ligjit të jetës në një sistem të tillë, fatkeqësia krijon mundësi për biznes, dhe dikush kërkon të blejë me të lirë, për të shitur më shtrenjt. Problemi kryesor i familjes së tij ka lidhje me bonusin e marrë nga shteti. “I kam bërë Bashkisë një shkresë për ta rishikuar. Kam tre dhoma një kuzhinë, të paktën të plotësohet sa është përcaktuar, për tre dhoma dhe një kuzhinë”, tha Qazolli. Në shtëpi, Qazimi dhe e shoqja Flora, kanë ende gjëra për të marrë. Siç ata shprehen kanë panele diellore për të kursyer energjinë, apo edhe dyer dhe sende të tjera me vlerë.
Një zonjë, e quajtur Silvana Xhepa, ankohet për fatin e saj. “Çatia e shtëpisë është çarë komplet, çfarë bie jashtë futet brenda”, tregon Silvana. Shtëpia ka dëmtime, edhe pse shumë më pak se pallatet që vizituam më herët, dhe kjo ndoshta është fatkeqësia e saj, ndërsa i shoqi kishte shkuar të hiqte penjtë pas operacionit të bërë disa javë më parë. Banorët e shumëkatësheve me gjasë do të kenë shtëpi, në një zonë të Kombinatit, por për shtëpitë private nuk dihet nëse do të jetë ky kujdes.
Ky është Kombinati, lagje me mbi 50-60 mijë banorë, një muaj pas tërmetit. Në një braktisje të tillë, njerëzve u mbetet të krijojnë iluzione, të luten, të paktën për të mpirë nervat që të mos ndjejnë tmerrin. Kështu ka qenë për qindra vjet, të paktën. Kombinati po ashtu ka festë, jo më kot është fundviti. Ka edhe njësi të pushtetit lokal, të zbukuruar jo shumë kohë më parë. Njerëzit ecin pranë e pranë, por secili larg problemit të tjetrit, një ritual që do breza për t’u ndryshuar. /AbcNews/
KOHA JONË SONDAZH

