Berisha: Jo ndryshime kushtetuese me Ramën, më 24 janar shqiptarët kundër narkoshtetit
Kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në mediat sociale foli për problemet e brendshme të selisë blu, ku u kërkoi demokratëve që të mos marrin pjesë në foltoret e Salianjit, ndërkohë u bëri thirrje që të bashkohen në protestën e 24 Janarit.
Dëshirës së Edi Ramës për të bërë një reformë kushtetuese, Sali Berisha i është përgjigjur negativisht, duke mohuar uljen në tryezë me kundërshtarin e tij. ”Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis. Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet e tij, vjedhjet e tij monstruoze”, tha Berisha.
Ideja e ndryshimit të Kushtetutës është hedhur nga dy liderët e politikës në javët e para te sesionit parlamentar të vjeshtës. Në tetor Berisha propozoi Parlament me dy dhoma. Ndryshimi i kursit të liderit të opozitës erdhi së pari pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Mendimin se me Ramën nuk duhet të ulesh në tryezë, Berisha duket se e ka përforcuar edhe pas deklaratave të kreut të ekzekutivit që njoftoi gjatë mbledhjes me grupin parlamentar se kishte ndërmend të miratonte një tërësi ligjesh në Kuvend, edhe pa opozitën.

