Bregu: Do të ishtë me vend përfshirja e Ballkanit në blerjen e vaksinës nga BE
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ishin pjesë e tregut të përbashkët europian në blerjen dhe sigurimin e vaksinës kundër Covid-19. E ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Bregu theksoi se financimi për vaksinën nuk mjafton për tregje si këto të rajonit, pasi e kanë të pamundur ta sgurojnë vaksinën.
“Vendimi për t’i kërkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor për të pritur vaksinën nga Covax dhe nga ana tjetër në momentin që filloi vaksinimi në vendet e BE-së u pa që kishte një mospërfshirje të vendeve të Ballkanit në këtë skemë të vaksinimit. Dhe në fakt do të kishtë qënë dhe e kemi diskutuar të gjithë do të kishtë qënë me vend që Ballkani Perëndimor të kishtë qënë pjesë e tregut të përbashkët europian në blerjen dhe sigurimin e vaksinës në fazat e para. Ajo që unë mund të them, u dhanë 70 milionë euro për të blerë vaksinën, por problem ishte që vaksina nuk gjendej më në treg dhe problem është që për tregjet tona të vogla ishte e pamundur pët të siguruar vaksinën ndaj do të kishte qënë me vend që të gjashta vendet bashkë të ishin pjesë e skemës së financimit dhe blerjes bashkë me vendet anëtare të BE-së.” – theksoi Bregu në Përballë.
Nga ana tjetër sipas Bregut kjo situatë solli solidaritet mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ka një garë në rajon për të treguar se kush është më i zoti për të siguruar vaksinën për popullatën sikurse ka edhe element të tjerë të cilët unë do të doja t’i quaja shprehje të solidaritetit që janë vënë re në rajon gjatë gjithë këtij viti dukë nisur që në fazën e parë ku kufijtë u mbajtën hapur. Por prapë në këtë luftë gjithsecili duhet që të luftojë e të bëjë të pamundurën për veten dhe për vendin që drejton. “ – tha Bregu në Përballë.