Brenda 15 dhjetorit, Rama: Familjet më fatkeqe të transferohen në banesa

Brenda 15 dhjetorit, tha kryeministri Edi Rama, të gjitha familjet që humbën njerëz të dashur të familjes nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin dhe që banesa e tyre u kthye në gërmadhë, do të transferohen nëpër shtëpi. Në mbledhjen e 10-të të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë deklaroi se në Thumanë nuk do të ndërtohet asgjë, pasi familjet që kanë humbur njerëz dhe ata që kanë ngelur pa shtëpi, nuk duan që të kthehen më në atë vend.

”Hotelet do të fillojnë të zbrazen pas vitit të ri. Hapja e dyerve për të tjerë, duhet të jetë e kufizuar, pasi hyjmë në fazën ku mund të fillojnë spekulime. Familjeve që janë në hotel do u ofrojmë dy rrugë: atë të dhënies së lekëve në dorë dhe banesën ta gjejnë vetë. Brenda atij fondi në zonën e Durrësit dhe Thumanës ka dhe koston e transportit. Dhe rruga tjetër është: do ia gjejmë vetë. Mos harroni, 15 dhjetori eshte afati i fundit për të sistemuar në shtëpi familjet më fatkeqe. Për ta duhet të mbarojë procesi dhe duhet të jenë në shtëpi. Dhe ata fëmijët që isha unë mbrëmë, duhet të shkojnë në shtëpi. Duhet gjetur dhe mënyra se si do të kujdesemi për njërin prej tyre që e ka nënën në spital dhe ka humbur të tjerët. Duhet t’i japim shtëpinë dhe duhet t’i vëmë një kujdestar. S’mund t’i japim një fëmije çelësin e shtëpisë. Daja jeton në Angli dhe ka ardhur përkohësisht. Mund të hyjë përkohësisht, por shtëpia është aty për një kohë të gjatë dhe do të jetë në emër të djalit. Ai është i zoti i shtëpisë. Duhet të marrim masa që të jetë e plotësuar me të gjitha. Sikundër unë e dija më parë, asnjë nga ata që kanë pasur shtëpitë në pallatet e shembura nuk do që të shkojë atje, e kanë tmerr. Vetëm ideja që të shkojnë atje është tmerr. Kështu që s’kemi çfarë të ndërtojmë atje”.

SHKARKO APP