Brenda botës shumëngjyrëshe të piktores Shaze Art
Për herë të parë, në një rrëfim mediatik artistja durrsake flet për lidhjen e fortë me pikturën, familjen, miqtë dhe shpjegon arsyet pse nuk i pëlqen fama.
Intervistoi Albina Gjergji
“Arti është si një fryt që rritet te njeriu, njësoj si fryti te pema, ose si fëmija në mitrën e nënës”. E veçova këtë shprehje të famshme të piktorit dhe skulptorit të njohur gjerman, Jean Arp, teksa rastësisht një natë e gjeta veten, duke lexuar për krijimtarinë e tij. E teksa njihesha me artin e tij abstrakt, në mendje me erdhi një bisedë e imja me një piktore të re (për nga mosha) shqiptare, e cila njëjtë sikurse shprehja më lart më ka rezultuar të jetë edhe pasioni i saj për artin e bukur të pikturës.
Quhet Shaze Berisha, është 30 vjeç, nënë e dy vajzave dhe bashkëshorte e lumtur.
Shazja, me talentin e rrallë që i buron në vena, prej vitesh ka spikatur ndër emrat më të njohur të artit pamor shqiptar (brezi i ri), por e karakterizuar nga thjeshtësia si tipar natyral I saj, ka preferuar të jetë e tërhequr nga media. Ekspozimi, apo fama s’I ka interesuar kurrë. Puna po. Në fakt, në një botë si kjo e sotmja e cila rend pas publicitetit, është për t’u cuditur pse kjo zgjedhje e Shazes, ama duket se, pikërisht modestia e ka bërë publikun të jetë edhe më kureshtarë për ta njohur. Tashmë, do, apo nuk do ajo, në rrjetet sociale talenti i saj është shumë i famshëm. Ndiqet nga mijëra dashamirës. Pak javë më parë emri i Shazes u lakua edhe në spektaklin e Ardit Gjebreas, tek “E Diela shqiptare”, ku disa vajza, ndjekëse të faqes “Shaz Art” i bënë surprizë mikes së tyre.
Për ta njohur më shumë këtë artiste brilante, që më shumë se gjithcka I flet puna, gazeta “Koha Jonë” arriti ta kishte në rrëfim të thjeshtë. Siç fundja është edhe vetë ajo, në gjithë madhështinë e artit të saj.
Shaze Berisha, e apasionuar pas pikturës, talenti juaj tashmë e ka kapërcyer famën e rrjeteve sociale. Shumë media kërkojnë t’ju kenë kryefjalë të faqeve të Kulturës, por ju dukeni sikur nuk ju tërheq protagonizmi mediatik. Përse kjo zgjedhje?
Është e vërtetë që ftesat për të qenë pjesë e mediave dhe për të folur për veten më kanë ardhur që para disa vitesh, por sinqerisht kam preferuar të mos ekspozohem shumë në publik. Famën e lakmojnë të gjithë, por unë s’e kam patur dhe as e kam në objektivat e mia. Kjo pjesë gjithmonë më ka vënë në siklet dhe nuk e merrja asnjëherë mundimin të ndryshoja mendim. Kjo nuk do të thotë që tregohem mospërfillëse, sepse i kam shprehur mirenjohjet e mia për vlerësimet, por jam natyrë e mbyllur dhe nuk më pëlqen shumë të flas për veten. Përveç kësaj, asnjëherë s’e kam konsideruar veten Artiste të mirëfilltë me nivel të lartë profesional. Mendoj se kam pak talent, por më duhet ende shumë kohë e punë që të e arrij pjekurinë artistike, aq sa të kem shumë për të treguar tek të tjerët.
Ama, tek rubrika “Ka një mesazh për ty”, emri juaj është përmendur shumë para disa të javësh tek “E diela Shqiptare”. Na flisni pak për veten dhe lidhjen tuaj me artin e pikturës?
Në fakt të gjithë më njohin me emrin “Shaz Art”, sepse me këtë emër kam zgjedhur të përfaqësoj veten qëkur nisa të jem pjesë e rrjeteve sociale. “Shaz ART” quhet dhe grupi i artit ne Facebook, që kam krijuar dy vite më parë. Ai grup është bërë shumë i dashur për mua. Ka artdashësit më të mirë e më vlerësues, që çdo ditë më stimulojnë e më mbështesin pafund, jo vetëm mua, por edhe talentet e rinj që postojnë aty krijimet e tyre nga fusha të ndryshme të artit. Atyre u jam mirënjohëse nga thellësia e zemrës, sepse asnjëherë nuk lodhen së përkrahuri krijimtarinë time. Arti pa artdashës është i vdekur dhe unë jam me fat që kam artdashësit më të mirë në botë që e bëjnë grupin “Shaz ART”, grupin e artit më aktiv e më të ndjekur në Shqipëri. Tani të dal pak tek rubrika “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”. Vajzat që më përmendën janë pikërisht Talente të grupit tim që unë i kam shumë xhan. Ato nuk janë vetëm të talentuara, por kanë dhe një shpirt të bukur që na e pasqyrojnë në grup dita-ditës me anë të krijimeve artistike që postojnë;ku përfshihen pikturat, vizatimet dhe krijimet letrare, poezi, prozë e shkrime të ndryshme të shkruara nga talentet e poezisë. Gjithmonë dëshira ime më e madhe ka qenë të bëj për të tjerët diçka që për mua s’e bëri askush kur isha në fillimet e mia.
Sa vite keni që e ushtroni këtë pasion e profesion?
Pikturën e kam patur pasion që fëmijë, por para 10 vitesh e mora seriozisht. Nuk e kam pasur fare të lehtë, sepse më është dashur gati 3 vite të përvetësoj teknikat e ndryshme që përdoren në artin pamor, si në vizatimet me laps, ashtu edhe në pikturat me bojëra. Mund të them me bindje se, duke pasur durim, vullnet e mbi të gjitha dëshirën për të bërë atë që do, gjithçka mund të arrihet.
Si do ta përshkruanit lidhjen tuaj me pikturën?
Pikturën e kam ushqim për shpirtin. Nuk ka ditë që unë të mos merrem me pikturë. Nëse nuk e prek lapsin, apo penelin dita ime nuk ka kuptim.
Portretet duket se janë preferenca juaj, apo jo?
Është e vërtetë. Portretet jane ato që preferohen më së shumti edhe nga artdashësit që më ndjekin, prandaj dhe unë përkushtimin më të madh ia dedikoj pikërisht portreteve. Mundohem të jem sa më korrekte në punimin e tyre dhe të arrij pikërisht emocionin që duhet të transmetojë një portret; nxjerrjen në pah të karakterit të individit. Në fund marr kënaqësi kur të tjerët më vlerësojnë dhe besojnë në talentin tim për të përjetësuar në një kornizë imazhin e personave të tyre më të dashur.
Keni arritur ta përcaktoni sa portrete keni realizuar deri më tani?
Pafund. S’i kam numëruar, por punimin e portreteve e kam nisur që në fillimet e mia. Ama, ato të parat s’po i llogaris fare, se më dilnin tjetër për tjetër (qesh). Por, për të qenë më e saktë kam 7 vite që punoj portrete pothuajse çdo ditë.
Shumë e kërkuar nga artdashësit, keni menduar të hapni një ekspozitë?
Ekspozita është ëndrra dhe dëshira ime më e madhe. Kam punuar shumë për këtë rast dhe kam ende disa vepra të bukura në proces që dua t’i përfundoj e t’i kem eksluzivitet të ekspozitës. Uroj të kalojë situata e pandemisë për ta bërë realitet sa më shpejt.
Bashkëshorte dhe nënë e 2 vajzave të mrekullueshme; mund të na thoni si arrini ta menaxhoni kohën mes angazhimeve familjare dhe pasionit tuaj?
Të jesh familjare, grua dhe nënë e të merresh me art është një sfidë më vete. Mund të them vetëm se, pa mbështetjen e familjes nuk do mund të bëja dot asgjë. Vërtetë i jam shumë mirënjohëse, sidomos bashkëshortit për përkrahjen dhe durimin që tregon me mua dhe vjehrrës për ndihmën e madhe që me jep çdo ditë në punët e shtëpisë. E vetmja gjë që më vjen keq është se, do doja të kaloja më shumë kohë me vajzat e mia, por fatmiresisht ato janë të rritura mjaftueshëm për të më kuptuar dhe nuk më ankohen asnjëherë. Ato e shohin që unë e dua shumë pikturen dhe e dinë sa mundohem ta organizoj kohën per t’u marrë me artin. Madje qëllon kur e lë punën dhe u them, “sonte do rri me ju”. E shohin që s’më zë vendi e më thonë, “ik mami, ik se te mori malli të zhgarravisësh”, (qesh).
Ende e re në moshë, por mjeshtre në pikturë. Mund të na thoni, ku e shihni veten pas disa vitesh? Cilat janë ambiciet tuaja?
Faleminderit shumë për vlerësimin! Asnjëherë nuk kënaqem plotësisht me veten dhe çdo krijim që nxjerr e shoh me sy kritik që ka nevojë për përmirësim. Mendoj se tani kam arritur në një fazë ku i shoh aftësitë dhe të metat që kam në lidhje me artin që bëj. Di mirë çfarë dua dhe gjithashtu e kam të qartë objektivin që pretendoj të arrij. Jam natyrë ambicioze dhe luftoj për atë që dua, prandaj besoj shumë që një ditë do të njihem për stilin tim të veçante në artin e pikturës. Aty ku do mundem të shprehem lirisht në telajo, ashtu siç unë e ndjej dhe perceptoj gjithçka që më frymëzon.
Piktorët tuaj të preferuar?
Kam shumë, por si të gjithë të apasionuarit pas artit pamor edhe unë influencohem pas kryeveprave botërore që kanë bërë histori. Si për shembull, Rembrandt, impresionistët Van Gogh dhe Claude Monet. Këtë të fundit e adhuroj për variacionet e ngjyrave që shoh tek natyrat e tij. Gjithashtu kam parë dhe i rishoh pafund veprat e Gustav Klimt. Adhuroj pafund dhe frymëzohem nga veprat e piktorit rus, Vladimir Volegov, etj.. Për ne të rinjtë që jemi ende në hapat e parë, veprat e tyre na shërbejnë si subjekte studimi tepër të vlefshme.
Muza, çfarë e frymëzon më shumë Shazen?
Nuk është e thënë të merresh me art që të ndjesh të bukurën e të frymëzohesh prej saj. Kushdo që ka shpirtin e ndjeshëm e sheh të bukurën kudo. Edhe në gjërat më të thjeshta. Mbase tek individët që bëjnë art ndjeshmëria është më e zhvilluar. Kjo gjë nxit krijimtarinë e tyre dhe i bën të jenë më kreativë. Mua personalisht më frymëzon gjithçka që më bën të ndjehem mirë. Sidomos deti dhe natyrat që të japin paqe e qetësi. Kam bërë shumë peizazhe, të cilat kur i sodis me kujdes më duket sikur futem brenda tyre e mbushem me jetë. Ndërsa muza që më ngacmon në çdo kohë është imazhi femëror. Edhe pse jo në mënyrë shumë profesionale, që në fillimet e mia ka qenë edhe modeli më i trajtuar. Këtë e tregon dhe fakti se, shumica e krijimeve të mia kanë patur dhe kane si model kryesor femrën.
Teknikat që përdorni në krijimet dhe realizimet tuaja (laps, vaj kanavacë, etj..)
Të gjitha i kam provuar. Përveç skicave me laps, punëve me karbon e pastel, punoj shumë edhe pikturat me bojëra. Madje, në fillim fare e kam nisur me bojë makinash në kombesatë, më pas kalova tek akriliku në telajo dhe në fund tek bojërat e vajit. Tek të gjitha ndjehem shumë rehat, sepse secila teknikë ka veçantinë e saj.