Brenda Grupit më të madh në Ballkanin Perëndimor që drejtohet nga gratë

– 60% e punonjësve të Grupit BALFIN janë gra
– 50% e bordit drejtues të Grupit janë gra, përfshirë edhe drejtuesen e tij
– 40% e pozicioneve menaxheriale në Grup mbahen nga gratë

Në Grupin BALFIN çështja e barazisë gjinore nuk shtrohet më si problematikë, ajo është tejkaluar dhe nuk shihet më si sfidë. Në këtë Grup gratë mbajnë pozicione kyçe, dhe janë më të shumta se burrat, por ky është marrë si një realitet faktik dhe jo i vendosur nga ndonjë artificë apo rregull i paramenduar. Me fjalë të tjera, në Grupin BALFIN gratë e kanë merituar vendin e tyre.

Megjithatë, me siguri, nëse nuk do të kishte një vëmendje dhe përkujdesje të veçantë dhe të mirëmenduar për ta ruajtur dhe trajtuar këtë pasuri njerëzore që buron nga forca e grave, realiteti i suksesshëm i BALFIN mund të mos ishte ky që është. Pak kohë më parë si nënshkrues i Parimeve të Fuqizimit të Grave, BALFIN ripohoi angazhimin e tij për të ndërmarrë hapa më të mëdhenj dhe më të shpejtë për fuqizimin e grave në vendin e punës dhe në komunitet.

Parimet e Fuqizimit të Grave janë krijuar nga UN Women dhe United Nations Global Compact. Ato u mundësojnë kompanive të vlerësojnë politikat dhe praktikat e tyre dhe të identifikojnë fushat për përmirësim.

Elvin Nosi, Drejtori i Burimeve Njerëzore i Grupit BALFIN, shprehet se si do të përmbushet konkretisht ky zotim. “Do përpiqemi që gjithnjë e më shumë të vëmë në vëmendje ose të komunikojmë disa realitete që kemi sikurse është kontributi i grave në kompanitë tona, rastet e suksesit të tyre, angazhimet apo projektet ku kanë marrë pjesë, duke i dhënë një vlerë të shtuar. Mendoj se të gjitha këto eksperienca pozitive që realisht i kemi, do të kujdesemi t’i komunikojmë më mirë në mënyrë që kontributi i tyre të dalë në pah dhe të marrë vëmendjen e duhur. Dhe pse jo, të shërbeje BALFIN Group si një shembull i mirë në treg i këtyre nismave, që kompani të tjera të përqafojnë edhe më shumë parimet e fuqizimit të grave. Për Grupin BALFIN përqafimi i këtyre parimeve ka ardhur shumë natyrshëm pasi Grupi aplikon standardet më të larta dhe më bashkohore në mënyrën e trajtimit dhe menaxhimit të punonjësve që bazohen në të njëjtat parime me ato të OKB, pra parimet e fuqizimit të grave, trajtimit të punonjësve në mënyrë të barabartë, transparente, dhe të drejtë. Përkujdesja është një ndër vlerat themelore të grupit BALFIN. Si dhe të qenurit të përgjegjshëm ndaj të gjitha palëve me të cilat operojmë, por pikë së pari me punonjësit tanë”.

Në BALFIN gratë janë të shumta dhe drejtojnë bashkë me kolegët burra një ndër Grupet më të mëdha të biznesit në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi të lumtur të konstatojmë se në Grupin BALFIN barazia gjinore është një realitet. Këtë e konstatojmë nëpërmjet disa shifrave dhe të dhënave që kemi. 60% e punonjësve të Grupit janë gra. Po ashtu, prezenca e tyre është shumë e rëndësishme në pozicione menaxheriale, na rezulton që 40% e tyre mbahen nga gra. Edhe në nivelet e menaxhimit të lartë sikurse mund t’i referohemi bordit menaxhues të Grupit BALFIN, kryesohet nga një Grua dhe gjysma e anëtareve të bordit janë Gra. Në fakt kontributi e grave në Grupin BALFIN ne e vërejmë në shumë aktivitete dhe janë një pjesë integrale e programeve tona që kanë të bëjnë kryesisht me trajnimin dhe zhvillimin e punonjësve”,-shprehet të tej Nosi.

“Nuk do lija pa përmendur një marrëveshje bashkëpunimi që kemi firmosur si Grup, ndër të paktat kompani në tregun tonë, ku jemi angazhuar të punësojmë individë me sindromën Down në kompanitë e Grupit tonë, dhe tashme disa prej tyre janë bërë pjesë e stafeve tona”,-vijon ai.

Larmia dhe inovacioni duket se janë motori që e vë në lëvizje dhe e çon përpara Grupin. Nosi tregon se ato janë ndër pikat më të forta që BALFIN ka.

“Ne mendojmë që diversiteti duhet të jetë një pjesë e pandashme e ralitetit tonë përsa i perket forcës punëtore në tërësi sepse besojmë fort që sa më e larmishme të jetë përbërja e stafit tonë, aq më të mëdha janë shanset për përmirësim dhe inovacion në tërësi. Dhe për ne në fakt inovacioni është shumë i rëndësishëm. Është një vlerë e Grupit tonë që përpiqemi ta kultivojmë vazhdimisht dhe mund të them pa asnjë dyshim që pikërisht në sajë të kësaj vlere e cila është realitet në Grupin tonë, BALFIN ja ka dalë mbanë të zhvillohet dhe të jetë sot një ndër grupet më të suksesshme në Shqipëri dhe më gjerë në rajon”.

Grupi BALFIN ka rreth 6.000 punonjës, ku rreth 3,000-3,500 punonjës janë në Shqipëri dhe pjesa tjetër jashtë vendit, në shtetet e rajonit si Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovinë. BALFIN është i pranishëm edhe në vendet e Evropës Qendrore si në Austri, Zvicër dhe Holandë.

SHKARKO APP