Brenda një viti, mbi 100 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në BE
Mbi 100 mijë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës përfituan gjatë vitit 2019 për herë të parë leje qëndrimi në një shtet të Bashkimit Evropian, ndërsa bie në sy fakti se Kroacia po kthehet në një mundësi të re për të emigruar. Të dhënat e Eurostat, tregojnë se 60,259 persona nga Shqipëria dhe 43,677 nga Kosova përfituan të drejtë për të qenë rezidentë në një nga shtetet e BE-së, e drejtë e fituar kryesisht prej bashkimeve familjare, kontratave të punës apo dhe së drejtës së studimeve.
Numri i lejeve të qëndrimeve shkon paralelisht me prirjen që kanë për emigrim shqiptarët, prirje e cila është e ndryshme për shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës. Gjatë vitit 2019, shqiptarët e Shqipërisë përfituan kryesisht leje qëndrimi nga Italia (21,221 leje), Greqia (15,733 leje) dhe Gjermania (12,014 leje). Bie në sy prirja në rritje për t’u zhvendosur në Kroaci (2,216 leje), kryesisht për punë. Ndërsa në total, nga të gjitha lejet e përftuara nga shqiptarët e Shqipërisë, vetëm 3.7% e leje-qëndrimeve (2,224 leje) u dhanë për edukim për shqiptarët e Kosovës ky raport është vetëm 2% (894 leje).
Të dhënat nuk përfshijnë Britaninë e Madhe, e cila ka dalë zyrtarisht nga BE-ja, ndërsa nga shtetet e mëdha bie në sy fakti se Franca (2,344 leje) dha shumë pak leje qëndrimi, pavarësisht se prirja e shqiptarëve për të emigruar atje është e lartë. Për shqiptarët e Kosovës prirja ka qenë kryesisht me zhvendosje drejt Gjermanisë (22,128 leje) më pas vjen Kroacia (6,369 leje), Sllovenia (5,862 leje), Italia (2,329 leje), Franca (1,942 leje) dhe Zvicra (1,778 leje).
Shifrat në fjalë, të cilat bëjnë fjalë vetëm për emigrimin e ligjshëm, vijojnë të jenë tregues shqetësues për shpopullimin e Shqipërisë dhe Kosovës, pasi kryesisht po largohen moshat e reja. Sigurisht leje-qëndrimi nuk do të thotë domosdoshmërish shpërngulje e përhershme në një vend të BE-së, por ndjesia e përgjithshme e shqiptarëve mbetet ajo për të mos u kthyer.
Për sa i përket statistikave të përgjithshme, Eurostat thotë se gjatë vitit 2019 pati rreth 3 milionë leje qëndrimi (2,953,138 leje) të dhëna për shtetas jo-evropianë, që krahasuar me vitin 2018, ishin 6% më shumë. Ukraina (756 mijë), Maroku (132 mijë) dhe India (130 mijë) janë shtetet, qytetarët e së cilëve përfituan më shumë leje qëndrimi nga BE-ja. Për sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, kryeson Serbia (62,163), ndërsa Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë mes 20 shteteve prej-ardhëse të qytetarëve që iu dha leja e qëndrimit.