Breshëri të shtënash në lokalin e Fation Muratit, 1 viktimë dhe 5 të plagosur. Grupi i Ervis Martinajt fillon ofensivën
Një i vdekur dhe 5 persona të plagosur pas të shtënave me armë në një lokal në pronësi të Fation Muratit në Tiranë.
Policia e Shtetit në një komunikim zyrtar bëri me dije se një 10-vjecare është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, ndërsa viktimë ka mbetur 60-vjeçarja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit.
Nga të shtënat e armëve ka mbetur e vrarë Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur Sahit Murati, 50 vjeç, Astrit Meraj,42 vjeç, Emanule Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç. Plumbat i kanë marrë në gjoks, në krahë dhe në këmbë, sipas mjekëve të spitalit të Traumës, ku po kurohen të plagosurit.
Nga ciflat e xhamave është lënduar edhe një e mitur 10-vjeçare me mbiemrin Paja. Atentorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përfituar nga errësira dhe deri tani policia nuk ka asnjë gjurmë të tyre.
Deri tani njoftimet janë se ishin mbi dy persona me motora që qëlluan. Dyshimet e para janë se autorët ishin nga grupi i Ervis Martinajt, sepse u fol se Fation Murati ishte pjesëmarrës në atentatin ndaj njerëzve të Ervisit në masakrën e FushëKrujës.
Informacione të besueshme tregojnë se njerëzit e Ervis Martinajt janë riorganizuar dhe do të fillojnë hakmarrjen.
Njoftimi i plotë:
Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët./Policia e shtetit/
Kush është Fatjon Murati?
Pronari i lokalit ku ndodhi atentati, Fatjon Murati, është dënuar me heqje lirie për posedimin e municioneve dhe armëve të zjarrit.
Murati u dënua me arrest me burg, por masa iu zbut në arrest shtëpie. Megjithatë, sikurse gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat raporton, Murati nuk ndodhet në banesë, teksa në lokalin e tij, autorë të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash.
Murati u arrestua në fillim të shkurtit 2022, kur u kap në shoqërinë e Endrit Dokles.
Ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi ka rezultuar posedues i armëve të zjarrit të gjetura në një kompleks rezitencial në kryeqytet. Për këtë bazë armatimi ra në pranga dhe 25-vjeçari nga Laçi, Kristian Gjini, ndërsa në ambientet e marra me qira nga ai u gjetën 7 armë zjarri, 4 silenciator, municione e sende të tjera të paligjshme.
Emri i Fatjon Muratit doli në skenë edhe pas vrasjes së 3-fishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës më 17 korrik 2022, kur humbën jetën Blilant Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha. Prokuroria nxori një listë personash, mes të cilëve ishte dhe Fatjon Murati, si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen.
Murati është ndaluar më parë nga autoritetet italiane, si i dyshuar për blerje të mallrave të vjedhura, posedim ilegal të armëve dhe të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, disa ditë pasi u ndalua, me vendim gjykate, u sekuestruan pasuritë e paluajtshme me vlerë 5 milionë euro.