Britani, hapet për publikun pallati mbretëror

 

A keni imagjinuar ndonjëherë se si mund të jetë të darkosh me familje mbretërore, President apo Kryeministra shtetesh? Këtë verë mund të krijoni një ide, nëse do të keni mundësi të shkoni në Londër

Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta II, ka vendosur të hapë dyert e Pallatit të saj Buchkingam për publikun, për t’i dhënë mundësi njerëzve të thjeshtë të shohin se si organizohet një banket shtetëror.

Sikurse kanë bërë disa drejtues shtetesh në të gjithë botën, edhe fansat e familjes mbretërore do të kenë mundësi të shohin nga afër të gjithë protokollin e një vizite të rangut të lartë, duke filluar nga karroca tradicionale që përdoret për të marrë të ftuarit.

Më pas, do të keni mundësi të ngjisni shkallët si në filma për të mbërritur në sallën e ballove, për të parë nga afër zbukurimet e tavolinave ku mbahen darkat e aristokracisë moderne.

Ana Rejnodls, kuratorja e Koleksionit Mbretëror, thotë se për herë të parë këtë vit njerëzit do të kenë mundësi të futen nga dera e madhe.

“Njëlloj sikur të ishit Papa, presidentë, astronautë, futbollistë apo të ftuar të Mbretëreshës dhe pjestarëve të tjerë familjes mbretërore” .

Ekspozita e titulluar “Mikpritje Mbretërore” do të shfaqë për publikun edhe disa makete me përmasa reale të kuzhinës, qilarit dhe ambjenteve të tjera të pallatit, përfshi edhe garderobën e Mbretëreshës Elizabeta II, me disa nga fustanet e mbrëmjes që ajo ka veshur gjatë eventeve të ndryshme.

Për herë të parë, Buckingham Palace, i ka hapur dyert për publikun në vitin 1993, ndërsa ekspozita e vitit të kaluar tërhoqi rreth 500 000 vizitorë.

SHKARKO APP