Britanikja me famë botërore Jessie J ndezi Tiranën e lagur nga shiu

E veshur me të zeza, me flokë gjysmë të kapura e një buzëqeshje elektrizuese, britanikja ka bërë mijëra shqiptarë të dridhen para zërit të saj.

Koncerti që ka nisur që prej orës 20:00 ka mbledhur mijëra qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, që me gjithë shiun që ka rënë sonte në kryeqytet nuk kanë hezituar të jenë në Sheshin “Nënë Tereza”.

Fillimisht atmosfera është ndezur nga këngëtarët shqiptarë si Alban Skënderaj apo Elahaida Dani, që kanë kënduar hitet e tyre më të njohura.

Më pas skenën e ka pushtuar këngëtarja me famë botërore Jessie J. e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.

Me hitet e saj të famshme dhe lëvizjet e koordinuara ajo ka elektrizuar skenën dhe ka ndezur qindra telefona, të cilët regjistronin live të gjithë performancën.

Jessie J nuk nguroi të falënderojë të gjithë ata që ishin në shesh për të ‘festuar këtë 70-vjetor të rëndësishëm të Çlirimit’, siç tha ajo, para një performance.

 

Jessie J lavdëron mikpritjen shqiptare

Këngëtarja britanike Jessie J, ka thënë se është ndier shumë e mirëpritur në Shqipëri, gjatë koncertit që ka mbajtur sot për nder të 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në Tiranë.

Me anë të disa postimeve në Instagram, ajo ka falenderuar shqiptarët për pritjen dhe atmosferën e krijuar.

“Sapo bëra dy emisione televizive në Shqipëri. Numri më i madh i fotove që kam bërë brenda një ore ndonjëherë. Isha tek shtëpia e kryeministrit ku më janë dhuruar shumë lule dhe fjalë të mira. Ndihem kaq e mirëseardhur në Shqipëri. Ju falenderoj shumë”, ishte postimi i artistes pak pas arritjes në Tiranë.

SHKARKO APP