“BSH”, Gjykata e Lartë shqyrton masën e sigurisë për Fullanin dhe Golemin

Duke folur në seancën gjyqësore, avokati i Elivar Golemit, Fatos Shanaj, kërkoi hetim në gjendje të lirë për ish-kryeinspektoren e Bankës së Shqipërisë, duke theksuar se klientja e tij nuk përbën rrezik për hetimin.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi arrestimin e Fullanit, ndërsa shkalla e dytë e gjyqësorit e ndryshoi vendimin në “arrest shtëpie”, kurse kryeinspektorja Golemi mbeti në burg.

Vetë ish-Guvernatori e ka konsideruar të padrejtë vendimin, duke kërkuar ti hiqet dhe arresti i shtëpisë e për këtë arsye i është drejtuar gjykatës së Lartë.

Ndërkaq Prokuroria e Tiranës kërkon kthimin në burg të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Organi i akuzës ka argumentuar se ish-Guvernatori ka shpërdoruar detyrën dhe është përgjegjës për këtë vepër penale, ndërsa ka dyshime se Fullani mund të dëmtojë proçesin e marrjes apo të vërtetësisë së provave.

Prokuroria theksonte në rekursin e saj, se lënia në “arrest shtëpie” apo në gjendje të lirë e Fullanit paraqet rrezik për dëmtim të provave.

SHKARKO APP