Bubq/Gatimi dhe fjetja janë sfidat e “çadrave të tërmetit”

270 familje në zonën e Bubqit dhe fshatrave përreth, jetojnë ende në çadra që pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019. Jetesa në to, në këto ditë me shi është thuajse e pamundur. Në familjen Karaj nuk punon askush dhe Shefqeti, si kryefamiljar, kërkon një strehë, por Bedrija shpjegon se sa i duhet një e tillë. “Kështu nuk mund të bëjmë asgjë, në këtë shi, në këtë të ftohtë. Na duhet shtëpia”.

Kjo familje ndihmohet nga vullnetarët që shpërndajnë ndihma për ata që kanë më tepër nevojë. Bardhok Jaku ngarkon 2 kuajt dhe ecën 2 orë në këmbë për të dërguar ushqime dhe veshëmbathje në një fshat të largët. “Janë 33 familje dhe kanë shumë nevojë. Ata janë shkrirë nga tërmeti komplet. Unë e bëj këtë vullnetarisht”.

Pak më lart në fshat, në një çadër vijon të qëndrojë 66-vjeçari Qamil Korriku. ”Po e kalojmë me vështirësi të madhe. Është shumë ftohtë. Unë jam me ilaçe. Vuaj nga zemra”. Djali i tij, Arjani, bashkë me të shoqen dhe 2 fëmijët prej pak orësh janë zhvendosur në një ambient, i dhuruar nga një kompani gjermane. “Më duket sikur më kanë bërë shtëpi të re”.

Në hyrje të fshatit ndodhet një kontejner ku jeton Drita Ajazi, me bashkëshortin dhe 2 djemtë, pasi shtëpia është shpallur e pabanuar. “Lutim Zotin të mos bjerë shi. Gjysma e të keqes kur kemi kohë të mirë. Duhet të lagemi që të hamë, pasi gatuajmë jashtë”.

SHKARKO APP