Budina: Me prishjen e Teatrit u vranë ëndrrat… Të prangosësh aktorët, në një kohë që mafiozët janë të lirë e të lumtur
Me prishjen e Teatrit Kombëtar ditën e sotme janë vrarë edhe ëndrrat e njerëzve që mendojnë se ky vend duhet të ecë përpara. Kështu është shprehur për mikrofonin e Abc News aktori i njohur dhe një ndër qëndrestarët më të hershëm në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, Edmond Budina.
I pyetur sesi u ndje teksa shihte që godina rrëzohej, Budina shprehet:
“E dhimbshme, e tmerrshme, është e pashpjegueshme me fjalë. Për faktin, jo vetëm për kohën që kemi kaluar duke e mbrojtur atë godinë, por edhe pse me rënien e kësaj godine vriten edhe ëndrrat e njerëzve që mendojnë se ky vend mund të ecë përpara. Ky për mua ky është një akt barbar, kur e gjithë Evropa thotë që ky është një monument kulture dhe këta e shembin pa pikën e mëshirës…Të sjellësh 1500 forca të policisë dhe të prangosësh aktorët, në një kohë që mafiozët janë të lirë e të lumtur…”
E keni besuar që do prishej ajo godinë në atë lloj forme?
Budina: “Ne besonim që nuk do prishej. Por, siç kemi dhe besimin që atë rrënojë që bënë aty është një lloj grope që i hapën vetes. Nesër kur ata të mos jenë, ai teatri do rindërtohet përsëri. Do ta paguajnë të gjithë këtë. Nuk pritën as verifikimin e Prokurorisë asnjë gjë…”
Sipas aktorit, “ai tetar ishte një magji, një nga vlerat më të mëdha që ky vend ka pasur.”
Jeni në dijeni a është ruajtur pasuria artistike që ndodhej brenda godinës? Ka një inventar?
Budina: “Mafia i zhduk gjurmët. Është bërë një vjedhje shumë e madhe. Dhe fakti që ata kanë folur gjithë këtë kohë se shqetësoheshin për kostumet e aktorëve, zërave. I hynë sot e s’pyetën për asgjë. I përplasën i hodhën i shkrinë. Ky është një akt vandal i patjetërsueshëm. Nuk e di ç’kanë dashur të mbulojnë me këtë. Ne atë teatër e kemi pastruar me duart tona, e kemi dezinfektuar…”
Ndërsa, sa i përket artistëve që firmosën për prishjen e godinës, Budina u shpreh se turpi apo nderi i takon çdonjërit për veprimet që bën dhe se ai e ka kokën lart.
Budina: “S’kam asgjë, unë nuk kam turp, për gjithçka sa kam bërë. As nuk jam shitur as nuk jam blerë as nuk kam marrë asnjë post. Të tjerët i kanë marrë të gjitha. Nderi, turpi i takon çdonjërit që ka mbi shpatulla atë që ka bërë, unë skam turp e kam kokën lart.”