Bujar Nishani: Disa individë kanë marrë peng jetën në Shkodër
Ish-Presidenti Bujar Nishani ishte sot i pranishëm në një konferencë shkencore në Shkodër ku komentoi dhe situatën e fundit.
Ish kreu i shtetit shprehu keqardhjen që përkohësisht jeta e këtij qyteti është marrë peng nga individë apo grupe kriminale, ndërsa shtoi bindjen se kjo situatë momentale do të tejkalohet. Ndërsa nuk ngurroi të shpreh fjalët më të mira për Shkodrën, e cila njihet si simboli i kulturës shqiptare, por jo vetëm.
“Në Shkodër është gjithmonë kënaqësi të vish, pavarësisht se për fatin e keq kohët e fundit Shkodra po na paraqitet si qytet ku individë apo grupe të caktuara individësh që nuk kanë asnjë lidhje jo etëm me traditën pro dhe realitetin e qytetarisë kulturës dhe zhvillimit të Shkodrës, duket sikur e kanë marrë peng përkohësisht jetën e këtij qyteti, lirinë e tij, të drejtat dhe sigurinë e këtij qyteti. Pavarësisht kësaj situate që besoj se është momentale dhe do të tejkalohet Shkodra mbetet një simbol shumë i madh i mbarë botës shqiptare”- tha Nishani.
Në fund Nishani falënderoi të gjithë organizatorët e konferencës duke mos harruar edhe përfaqësuesit e qarkut vendor.
“Ndaj unë ndihem shumë i kënaqur dhe shumë i privilegjuar. Dua të shpreh mirënjohjen për drejtuesit e qarkut e Shkodrës, për akademikët që janë angazhuar për mbajtjen e kësaj konference”, shtoi Bujar Nishani.
Deklaratat e tij, ish-Presidenti Bujar Nishani i bëri në konferencën shkencore në Shkodër të organizuar nga Këshilli i qarkut Shkodër me temë: “Shkodra në vitet e komunizmit 1945-1953”.
KOHA JONË SONDAZH

