Bulqizë, punonjësi “shet” ujësjellësin për skrap, bie në pranga me tregtarin

Një punonjës i Ujësjellësit të Bulqizës shiste kryesisht për skrap pjesë metalike të ndërmarrjes ku punonte me qëllim përfitimi, por aktiviteti i tij mbyllet “pa sukses”. Ai ra sot në pranga bashkë me tregtarin me të cilin kishte abuzuar mbi pasurinë publike për një kohë të gjatë.   

Policia e Bulqizës ka vënë në pranga gjatë ditës së martë dy persona për vjedhje dhe  tregtim të paligjshëm të materialeve të ndryshme. Mes tyre edhe S. Fishta, punonjës i Ujësjellësit të Bulqizës dhe B.Shira, tregtar.

Sipas policisë, punonjësi i Ujësjellësit akuzohet për vjedhje të materialeve në magazinën e Ujësjellësit të Bulqizës, kryesisht saraçineska të dimensioneve të ndryshme, ku sipas  policisë, personi në fjalë ia shiste për skrap tregtarit B.Shira për qëllime fitimi.

Në një deklaratë për shtyp, policia bën me dije se në magazinën e ujësjellësit janë vjedhur rreth 250 saraçineska të tipeve të ndryshme të cilat kapin vlerën e gjashtë milionë lekëve të vjetra.

SHKARKO APP