Burg për shefin e qarkullimit Tiranë, Roven Zeka
Gjykata e Posaçme cakton masën e sigurisë “arrest në burg” për shefin e qarkullimit Tiranë, Roven Zeka dhe shefin e hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku. Sipas organit të akuzës, ata u arrestuan pasi i kanë marrë ryshfet 2 mijë euro një shofereje që u përfshi në një aksident rrugor në Tiranë më 16 prill.
Njoftimi i plotë nga SPAK
Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.
Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.
KOHA JONË SONDAZH

