Burg përjetë, Policia publikon emrat dhe fotot e dy të shumëkërkuarve
Këtë të hënë, Policia e Shtetit ka publikuar identitetin dhe fotot e dy personave të shumëkërkuarve, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit. Sipas njoftimit të policisë, mësohet se dy personat janë: Gleron Jahjolli dhe Fran Prendi, të cilët ishin dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Policia e Shtetit, çdo ditë do të publikojë emrat dhe fotot e 50 të kërkuarve prej saj.
Njoftimi i plotë
I dënuari me burg përjetë Gleron Jahjolli. Në datën 23 tetor 2001, në dalje të fshatit Menkulas, Devoll, shtetasi Gleron Jahjolli, në bashkëpunim me shtetasin E. J., ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të një automjeti, brenda të cilit ndodheshin 3 shtetas, konkretisht shtetasi A. N. (drejtuesi i mjetit, i cili mbeti i vdekur) dhe pasagjerë shtetasit J. K. dhe R. N. Gleron Jahjolli është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
I dënuari me burg përjetë Fran Prendi. Në datën 9 mars 1992, në vendin e quajtur “Rezervuari i qytetit”, Pukë, shtetasi Fran Prendi ka vrarë për motive të dobëta shtetasin H. B. Prendi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Vrasja me dashje, për motive të dobëta”.