Bushati takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz

Ministri i Punëve të Jashtme,  Ditmir Bushati, priti në takim Ministrin Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz.

Kjo vizitë dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Austrisë, marrëdhënie të cilat këtë muaj shënojnë 94 vjetorin e vendosjes për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona, si dhe 60 vjetorin e rivendosjes së tyre.

Procesi i integrimit evropian, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit bilateral, koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta në menaxhimin e sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian, si kriza migratore dhe siguria në kontinent, ishin çështjet kryesore që u trajtuan në takim. Gjithashtu, vizita e MPJ Kurz në vendin tonë, si pjesë e një turi rajonal të tij në Ballkanin Perëndimor, rikonfirmon qasjen e afërt të Rajonit drejt Bashkimit Evropian, si dhe angazhimin e Austrisë në këtë drejtim.

Ministri Bushati e njohu Ministrin Kurz me progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe, veçanërisht me reformën në drejtësi. Ai vlerësoi kontributin e qeverisë austriake në mbështetje të procesit të reformave në vend. Kjo mbështetje pasqyrohet qartë në Strategjinë për Zhvillim 2015-2020, ku asistenca për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës, arsimin profesional, janë vetëm disa nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve. Gjithashtuturizmi, mbetet një fushë prioritare e bashkëpunimit shqiptaro-austriak, ndaj nënshkrimi nga Ministri Ahmetaj dhe Ministri Kurz, i Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e turizmit synon të  rrisë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin e Austrisë si një ndër vendet anëtare më të zëshme pro zgjerimit, si dhe u shpreh se: “kemi rënë dakord sot për një plan konkret veprimi mes dy vendeve përgjatë vitit 2016, i cili përmban një sërë angazhimesh dhe aktivitetesh konkrete në mbështetje të avancimit të vendit në rrugën e integrimit, me objektiv marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky plan shtrihet në fusha si: integrimi evropian, ekonomia, programeve të zhvillimit, administrata publike, edukim, shkencë dhe shoqëri civile”.

Duke evidentuar mbështetjen austriake për vendin tonë, Ministri Kurz u shpreh se: “Kemi dakordësuar një kalendar të përbashkët veprimesh, dhe do te mbështesim krijimin e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për të mbështetur Shqipërinë drejt hapit te radhës, atë te hapjes së negociatave për anëtarësim”. 

 Në kuadër të kësaj vizite në ambientet e MPJ-së u ekspozuan disa materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe. 

SHKARKO APP