Buxheti 2020, Mazniku: Do të ndërhyjmë në 100 lagje në gjithë Tiranën
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku shpjegoi 4 kolonat kryesore mbi të cilat është planifikuar projektbuxheti për vitin e ardhshëm dhe investimet që pritet të sjellin impakt pozitiv në cilësinë e jetës së banorëve të qytetit. “Fokusi i punës, jo vetëm për këtë vit, por që do të zgjasë përtej këtij viti, do të jetë i ndarë në 4 kolona kryesore. Do të vijojmë të investojmë në çerdhe, kopshte, shkolla. Kemi një punë shumë të madhe për të bërë. Fillojmë brenda këtij viti kampusin e qytetit studenti, i cili do të ketë tre elementë të rëndësishëm zhvillimor”, tha Mazniku. Fokusi i dytë i rëndësishëm i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë ekonomia dhe punësimi. “Në 4-vjeçarin e parë u fokusuam shumë në infrastrukturën bazike të qytetit, në pastrim, rrugë dhe kanale. Tani do të kemi fokus më të madh te ekonomia dhe punësimi, siç është zona e re ekonomike e Tiranës, e cila do të fokusohet në prodhim e manifakturë, për të krijuar vende të reja të punës. Po ashtu, edhe tregun agroushqimor, në mënyrë që edhe zonat rreth e qark të Tiranës të ketë një treg për të sjellë produktet e tyre”, tha ai.
Ndërkaq, brenda programit kombëtar të 100 fshatrave, përfitues do të jenë edhe Shëngjergji, Sheshi, Peza dhe Pëllumbasi. “Për të pasur mundësinë për të çuar aty turizëm, bujqësi dhe agrobiznes, në krijimin dhe zhvillimin e zonës rreth e qark Bulevardit të Ri, si një zonë e fokusuar në financë e teknologji, që edhe aty të tërheqim kompani ndërkombëtare. Fokusi do jetë edhe tek shërbimet dhe një ndër punët që është duke u bërë është Bulevardi Zogu 1, për të pasur më shumë hapësira për shërbime, shopping, turizëm apo për kur vijnë miqtë ndërkombëtarë”, tha Mazniku. Puna do të vijojë edhe për korridoret e gjelbra. “Në Bulevardin Veri-Jug, në Lanën që bën lidhjen Lindje-Perëndim, dhe zgjerimin e Lanës, në pyllin Orbital dhe në Unazën e Madhe. Do të vijojmë punën me Unazën e Madhe si një arterie kryesore e lëvizshmërisë në qytet”, shtoi Mazniku. Kolona e katërt është përmirësimi i shërbimeve të bashkisë për qytetarët. Nënkryetari Mazniku theksoi se po punohet në mënyrë intensive për të pasur mundësi që të gjithë mekanizmat e shërbimeve të ofrohen në një mekanizëm dixhital dhe të lehtësohet procedura e marrjes së shërbimeve nga Bashkia, nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime”.
Duke u ndalur më konkretisht në investimet që prekin banorët e njësisë Nr. 1, 2 dhe 3 në qytet, Mazniku theksoi se një prej investimeve më të rëndësishme është ai i zgjerimit të Lanës, si dhe një vëmendje e shtuar për të përmirësuar lëvizshmërinë në kryeqytet. “Projekte të rëndësishme si ai i zgjerimit të Lanës, i krijimit të Bulevardit në krahun tjetër, i projekteve të zgjerimit të rrugëve sekondare dhe shesheve në zona të ndryshme të Tiranës apo investimit te Parku i Liqenit, janë elementë që çojnë shpërndarjen e zhvillimit të qytetit, jo vetëm në qendër, por në të gjithë sipërfaqen”, tha ai. Një nga projektet më të rëndësishme për këtë mandat është ai i 100 lagjeve, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët. “Jemi fokusuar në riparimin e shumë lagjeve në qytet, por kjo është një çështje që merr kohë. Qyteti ka më shumë se 350 lagje. Ndaj, edhe kryetari ka nismuar si pjesë të këtij mandati 4 vjeçar, projektin e 100 lagjeve, ku do të synojmë të prekim 100 lagje në gjithë qytetin e Tiranës”, u shpreh Mazniku.
Si pjesë e programit të 100 lagjeve, në Njësinë 1 është parashikuar të prekë Bulevardin “Bajram Curri”, “Petro Nini Luarasi”, rrugën Taulantia dhe rrugën “Ali Demi”, lagjen “Idriz Dollaku”, Rruga “Ali Shefqeti”, “Ramazan Shushku” në Jug të Lumit të Lanës. Rrugën “Arben Lami”, “Ali Shefqeti”, “Aleksandër Konda”, “Themi Ibrahimi”, “Nikolla Mjekashi”, “Bajazit Shehu”, “Ali Ulqinaku” dhe “Shyqyri Basha”. Ndërkaq, zona 1 është edhe një prej njësive të para ku do të pilotohet furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Për sa i përket Njësisë 2, si pjesë e programit të 100 lagjeve, është blloku te Bulevardi “Bajram Curri”, “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia”, “Ali Demi”. Rikonstruksionin e rrugës “Murat Toptani” dhe rehabilitimin e rrugës “Xhorxh Bush”, si një ndër elementët turistik të qytetit. Mazniku theksoi se nga përfundimi i Unazës së Re, përfitues direkt do të jenë banorët e të tre njësive 1, 2 dhe 3, duke lehtësuar edhe qarkullimin automjeteve në kryeqytet.