Buxheti 2025 u votua me votat e PS, Blushi: Pasuron oligarkët në kurriz të pensionistëve

Dje Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2025 vetëm me votat e PS-së, dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilëson atë si më antisocialin. Blushi tha se buxheti për vitin 2025 është i vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë.

”Buxheti më antisocial dhe buxheti i thellimit të mëtejshëm të varfërisë së pamerituar për qytetarët e thjeshtë, pensionistët, të papunët dhe shtresat në nevojë. Të gjithë shqiptarët, në veçanti pensionistët dhe shtresat sociale më në nevojë duhet ta dinë se vitin e ardhshëm do të mbajnë mbi supe koston e korrupsionit të përbindshëm qeveritar”.

Nga ana tjetër, Blushi tha se rrëzimi i amendamenteve të Partisë së Lirisë është votë kundër pensionistëve, qytetarëve në nevojë dhe në varfëri ekstreme, kundër fermerëve dhe bizneseve të ligjshme, kundër të rinjve, arsimtarëve dhe mjekëve.

”E vetmja alternativë në këto kushte, mbetet intensifikimi i mëtejshëm i aksionit opozitar, në mënyrë që t’i shkurtojmë ditët e mbetura këtij regjimi antiqytetar, antishqiptar, antikombëtar që për fat të keq për të gjitha këto krime monstruoze, për të gjithë këtë korrupsion të përbindshëm po mbahet sot në këmbë nga një tjetër strukturë kriminale që quhet SPAK”, tha Blushi.

SHKARKO APP