Bylykbashi: Më shumë se iu hoq mandati Kajmakut, iu hoq maska sërish Edi Ramës
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka reaguar lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili shkarkoi kryetarin e bashkisë së CVorës, Agi8m Kajmaku, i cili pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se kishte precedentë penalë të kryer në shtetin grek në emrin Jorgo Toto.
Lidhur me këtë rast të denoncuar që në krye të herës nga PD-ja, ish-kreu i komisionit parlamentar që hartoi ligjin e dekriminalizimit, thekson se Kajmaku është qershia më e fundit e kalbur mbi tortën e fëlliqur të Edi Ramës, atë që u serviri sërish shqiptarëve më 30 qershor.
Sipas Bylykbashit, Ligji i Dekriminalizimit, më shumë se i hoqi mandatin Kajmakut, i hoqi maskën sërish Ramës dhe shtetit që ka ngritur ai.
Reagimi i plotë i Oerd Bylykbashit
Edi Ramës i doli hirra
Kajmaku është qershia më e fundit e kalbur mbi tortën e fëlliqur të Rames, atë që u serviri sërish shqiptarëve më 30 qershor. Ligji i Dekriminalizimit, më shumë se i hoqi mandatin Kajmakut, i hoqi maskën sërish Ramës dhe shtetit që ka ngritur ai.
Ju kujtohen ata që thonin se Dekriminalizimi nuk bëhej me ligj, apo se ligji i Dekriminalizimit nuk do të funksiononte? Janë rreth 500 zyrtarë që janë larguar deri më tani nga ky ligj, sepse dikur janë përlyer me krimin. Dhe këtë skotë shqiptarëve ua solli në parlament, bashki e nëpër zyra shteti, vetë Edi Rama.
Ju kujtohet Rama që bërtiste në parlament se ligji ishte antikushtetues? Ju kujtohet skërmitja e Ballës kundër dorëzimit të gjurmëve të gishtave? Si do gjendej pa këto gjurmë që shenjat e gishtave të Kajmakut ishin të njëjtat me ato të Jorgo Totos në gjykatat e Greqisë? Të gjithë e kuptojnë tashmë pse turfullonin. Ai ligj i nxirrte zbuluar.
Tashmë Edi Ramës i ka mbetur t’i bjerë mandolinës e të këndojë këngën e Shqipnis së Mesme: Vaj vaj vaj, gishtat me kajmak, o moj Vorë e vogël ç’më bone marak!