Caka: Me rinumërimin e votave, LSI-ja merr mandatin në Durrës
LSI-ja insiston se në qarkun e Durrësit ka pasur manipulime gjatë numërimit të votave dhe nëse ato rinumërohen mund të fitojë një mandat deputet. Sekretarja për Çështjet Zgjedhore në LSI, Silva Caka, thotë se me aq pamje filmike sa ka mundur të shqyrtojë ka konstatuar “manipulime në numërim” të të paktën 60 votave të LSI-së.
”Nga gjetjet tona rezulton një vjedhje masive nga ana e numëruesve të PS-së, të votave që kryesisht janë konsideruar të pavlefshme dhe më pas të vlefshme për PS-në”, thotë Caka për ”Euronews Albania”, e cila tregoi se sipas hulumtimit të LSI-së rezulton se rreth 200 vota janë konsideruar të vlefshme për PS-në, kur ato ishin të pavlefshme apo të partive të tjera.
”Kemi numëruar rreth 110 kuti, por që kemi kërkuar hapjen edhe më shumë se kaq, për të vërejtur trendin, sepse në 110 kuti nga Durrësi, LSI-ja rikuperon rreth 60 vota, ndërsa PS-ja humbet mbi 200, ndaj ne kemi kërkuar që të rinumërohet pothuajse të gjitha kutitë”.