Cakaj në malet e Kosovës: Miqësinë time me Doktorin nuk e ka ndarë asnjëherë dallimi në moshë
Ish-ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj është shfaqur në malet e Kosovës. Vetëm pak javë pasi u largua nga qeveria e kabitetit të kryeministrit Edi Rama, Cakaj ka publikuar një foto ku shihet krah Fatmir Xhelilit që e quan Doktorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Cakaj shkruan se Xhelili mbetet i të gjithëve sepse i’u dha gjithmonë përparësi interesave shtetërore të Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve dhe se për miqësinë e tyre nuk ka pasur ndonjëherë rëndësi ndasia në moshë që kanë.
Postimi i plotë
Në majë të Jezercës me Doktorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Fatmir Xhelili i ka dhënë krejt çka mundur Kosovës, në ditët më të vështira e në orët më vendimtare të historisë së saj të vonë: Kur paqja u bë e pamundur, ai u bë një prej themeluesve të UÇK-së, kur lufta u bë domosdoshmëri, ai shërbeu si drejtues i lartë institucional e politik i saj, kur ballafaqimi ushtarak përfshiu rëndë tërë vendin.
Ai shërbeu me vetëmohim si ushtar i zakonshëm e pranë nevojtarëve si mjek i jashtëzakonshëm lufte, kur shtetndërtimi ishte në pyetje, ai punoi pakursyer me vetëdije të lartë kombëtare në mbrojtje të interesave të Kosovës, kur po shpallej mëvetësia, ai nuk festoi gjatë e shumë si të tjerët sepse ishte në krye të qendrës për ruajtjen e sigurisë vendore në bashkërendim të plotë me miqtë ndërkombëtar, kur forcimi i brendshëm institucional u bë sfida kryesore e Republikës, ai punoi me zell e nder, profesionalizëm dhe dinjitet, pavarësisht përkatësisë partiake, në të mirë të Kosovës.
Doktor Xhelili mbetet i të gjithëve sepse iu dha gjithmonë përparësi interesave shtetërore të Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve. Miqësinë time me Doktorin nuk e ka ndarë asnjëherë dallimi në moshë, sepse e ka bashkuar dashuria për Shqipërinë, Kosovën, përkushtimi për të punuar papushim për çështjen shqiptare. Miqësia e ngushtë me të ka qenë sa nder, aq edhe mësim, sa frymëzim i vazhdueshëm aq edhe shembull i prekshëm se si duhet atdheu pa kushte.